E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD akuza Ramës për kërcënime ndaj deputetes Bulku

TIRANE- Partia Demokratike ka akuzuar sot kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe deputetët e saj se kanë kërcënuar arstisten dhe deputeten Rajmonda Bulku, pas deklaratës së saj se kryesocilisti Rama po mban në grevë urie gra e nëna me fëmijë. Përmes një deklarate për mediat, zëdhënësja e selisë blu, Erla Mëhilli deklaroi se PD hedh poshtë me indinjatë kërcënimet ndaj deputetes.

“Edvin Rama, Gramoz Ruci, Ilir Gjoni dhe pinjollët e tjerë të bllokut, që kanë burgosur bashkëpuntorët e tyre në mes të bulevardit kurse për vete ushqehen në restorantet më luksoze, kërcënuan personalitetin e shquar të artit shqiptar e politik, deputeten dhe artisten e mirënjohur Rajmonda Bulku për fajin e vetëm se ajo denoncoi me guxim aktin barbar të Edvin Ramës ndaj fëmijëve të nënave që ai ka burgosur në mes të bulevardit” u shpreh Mëhilli.

Partia Demokratike nënvizon se autorët e kërcënimeve do të marrin përgjigjen më të merituar ligjore.

“Partia Demokratike i thotë zotit Rama se ajo është e gatshme të respektojë plotësisht liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë të garantuara në Kushtetutë por hedh poshtë me indinjatë kërcënimet banditeske alla mafia ndaj deputetes së saj dhe artistes Rajmonda Bulku dhe paralajmëron se autorët e këtij kërcënimi do të marrin përgjigjen më të merituar ligjore” theksoi zëdhënësja e selisë blu.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›