E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Komisionerin për tё Drejtat e Njeriut nё Këshillin e Evropës, Tomas Hamarberg

15 shkurt 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Komisionerin për tё Drejtat e Njeriut, nё Këshillin e Evropës, Tomas Hamarberg dhe delegacionin që e shoqëron gjatë kësaj vizite zyrtare në vendin tonë.

Në këtë takim, Presidenti Topi vlerësoi rolin e rëndësishëm të Këshillit të Evropës në Shqipëri në intensifikimin e proceseve reformuese demokratike për forcimin e institucioneve dhe të shtetit ligjor, për respektimin e tё drejtave dhe lirive themelore tё njeriut, si dhe përmbushjen e standardeve në funksion të integrimit evropian. Gjithashtu, Presidenti Topi si garant i Kushtetutës dhe simbol i bashkimit të popullit nënvizoi angazhimin maksimal të Institucionit të Presidentit për promovimin e vlerave demokratike dhe mbrojtjen e garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Sa i përket situatës politike të krijuar në vend, Presidenti i Republikës edhe në këtë takim shprehu qëndrimin e tij institucional se rivendosja e dialogut politik, gjetja e rrugëve institucionale për t’u ulur në tryezën e bisedimeve me alternativë konkrete të zgjidhjes, janë të domosdoshme për të dalë nga kjo situatë që ka paralizuar funksionimin normal të marrëdhënieve ndërinstitucionale në vend dhe e vetmja mundësi për të zhvilluar e për të përfunduar me sukses ato projekte madhore që Shqipëria ka nisur tashmë, duke patur parasysh këtu dhe realizimin me sukses të zgjedhjeve për pushtetin vendor, që priten të realizohen në 8 maj të këtij viti.

Nga ana e tij, Komisioneri për tё Drejtat e Njeriut nё Këshillin e Evropës, Tomas Hamarberg pasi shprehu mirënjohjen për takimin, theksoi domosdoshmërinë e një hetimi të paanshëm, gjithëpërfshirës, të drejtë dhe profesional të ngjarjeve të 21 janarit 2011, duke pasur parasysh mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut si dhe rëndësinë e institucioneve të pavarura në këtë drejtim, sidomos për funksionimin e suksesshëm të shtetit të së drejtës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›