E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çifti kryeministror feston Shën Valentinin në ditëlindjen e mbesave

Kryeministri Berisha ka zgjedhur Ditën e Shën Valentinit për të festuar ditëlindjen e dy mbesave të tij, Amlës dhe Dalilës. Kryeministri Berisha sëbashku me bashkëshorten, zonjën Liri Berisha, iu bashkuan sot gëzimit të Amlës, e cila mbushi 7 vjeç dhe të Dalilës, e cila, ndonëse mbushi 10 vjeç vetëm pak ditë më parë, dëshiroi ta festonte atë së bashku me Amlën në Ditën e Shën Valentinit.

Në një atmosferë të hareshme, nën një dekor festiv, tingujve të muzikës dhe ku padyshim nuk mungonte torta tradicionale për këtë rast, Amla dhe Dalila morën urimet më të bukura nga familja, mësuesit dhe shokët e shoqet, nxënës të klasës së parë dhe të katërt të shkollës Kosova, ku ato ndjekin mësimet.  

Një përjetim i veçantë ishte edhe urimi i Zotit Berisha për to, të cilat kanë një lidhje të veçantë me gjyshin e tyre. Duke u larguar për pak nga angazhimet zyrtare për t’i bërë vend këtij gëzimi familjar, Zoti Berisha u ka uruar mbesave këtë ditë të shënuar për to, e cila, theksoi zoti Berisha, përkon edhe me një ditë të bukur që i dedikohet dashurisë, dashurisë për prindërit, dashurisë për shokët, dashurisë për njëri-tjetrin.  


14/02/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›