E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi u bën thirrje partive politike që të përgatiten me seriozitet maksimal për zgjedhjet vendore të 8 majit

14 shkurt 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi pati sot një takim me Kreun e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadorin Eugen Volfart, me të cilin zhvilloi një bisedë të përqendruar veçanërisht në përgatitjet për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme vendore, të dekretuara nga Kreu i Shtetit më 8 maj 2011.

Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për ndihmesën dhe kontributin e vazhdueshëm të OSBE-së në demokratizimin e institucioneve shqiptare, forcimin e shtetit të së drejtës, respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe në kuadër të mbarëvajtjes e proceseve zgjedhore në vend. Gjatë bisedës, Presidenti i Republikës, theksoi rëndësinë e madhe të këtyre zgjedhjeve për ripërtëritjen e përfaqësuesve të organeve drejtuese të pushtetit vendor. Gjithashtu Kreu i Shtetit shqiptar nënvizoi qëndrimin e tij të palëkundur për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme vendore, të dekretuara sipas afateve kushtetuese më 8 maj 2011 duke u bërë thirrje partive politike që t’i vlerësojnë ato me seriozitet maksimal.

Gjatë takimit, Presidenti Topi nënvizoi faktin se ka qenë dhe vazhdon të mbetet në sintoni të plotë edhe me apelet e vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar që partitë politike në vend të marrin të gjitha masat e duhura dhe të plotësojnë detyrimet kushtetutese dhe ligjore për mbajtjen e suksesshme të këtyre zgjedhjeve. Në këtë kuadër, Presidenti Topi përsëriti mesazhin e tij të shprehur edhe më parë, duke theksuar se “vazhdimi i axhendës integruese evropiane të Shqipërisë si dhe përmbushja e suksesshme e projekteve madhore që ka ndërmarrë vendi ynë, shtrojnë si domosdoshmëri që këto zgjedhje të mbahen në afatin e përcaktuar ligjor, që infrastruktura zgjedhore të jetë plotësisht e ndërtuar dhe funksionuese, që të jenë të lira, të ndershme e të drejta duke mos humbur më kohë të vyer, siç ishte tejkalimi i afatit të 8 shkurtit për emërimin e komisionerëve të KZAZ-ve, sepse askush nuk duhet të ketë iluzione për shtyrjen e mundshme të tyre.”

Nga ana e tij, Ambasadori Volfart shprehu kënaqësinë për këtë takim me Presidentin Topi duke ndarë me të të njëjtin mendim lidhur me përgatitjen dhe zhvillimin e suksesshëm dhe sipas afateve kushtetuese dhe ligjore të zgjedhjeve vendore të 8 majit. Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfart nënvizoi domosdoshmërinë që faktorët politikë shqiptarë të përgatisin së bashku zgjedhjet vendore për të mos humbur më kohë, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të gëzojnë frytet e standardeve demokratike.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›