E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti përtej një deklarate verore

nishiNga Afrim Krasniqi

Presidenti i Republikës ka reaguar për herë të parë ndaj debateve publike që lidhen me funksionin e tij. Një ditë më parë eksponentë politikë, civilë dhe media kritikuan vendimin e tij për dekretin mbi SHQUP-in, hodhën dyshime për konflikt interesi në procesin e kthimit të selisë aktuale të PD tek pronarët, si dhe lajmin për shtesa në fondin financiar të presidencës. Presidenti reagoi ashpër, tha se ndjehet nën sulme, shantazh dhe presione nga mazhoranca e re (ende pa pushtet) dhe më poshtë sqaroi pikën e tretë të kritikës, atë që lidhet me fondin rezervë. Për dy pikat e tjera nuk pati sqarim. Vendimi i Presidentit për tiu kundërvunë publikisht frymës kritike të mazhorancës së re përbën risi, një zhvillim interesant dhe hap një kapitull të ri në marrëdhëniet institucionale midis kreut të shtetit, partive politike dhe veças, shumicës së re.

Një shoqëri serioze duhet të mendohet mirë kur e zgjedh kreun e shtetit, por pasi e zgjedh, duhet ta respektojë në integritetin dhe simbolikën e tij. Në çdo rast, si edhe këtë herë, çdo etiketim negativ, frymë denigrimi apo shprehje tjetër joinstitucionale adresuar Presidentit, meriton refuzim e injorim. Asgjë më shumë, sidomos në sjellje institucionale. Në rastin e fundit revolta e Presidentit përbën risi sepse vjen si zhvillim i ri, pa ndonjë përfitim afatgjatë dhe pa pritshmëri. Kur kreu i shtetit ankohet se është kërcënuar dhe shantazhuar, dy akte që përbëjnë vepra penale dhe dënohen me ligj, – në një shtet serioz ndërhyn prokuroria dhe kushdo që është fajtor, meriton hetim ligjor. Presidenti nuk ia adresoi ankesën e tij drejtësisë, por vendosi ta bëjë denoncimin në mënyrën iracionale, përmes një etiketimi e fajësimi en bloc politik ndaj një pale politike. I nxitur nga të tjerë, i këshilluar keq, i prekur nga fakti se fondi shtesë realisht lidhej me takimin presidencial rajonal, i ndjerë i fyer nga ndonjë metaforë arkaike të politikanëve të ditës, i prirur për një raport të ri politik, etj, etj, – thelbi i aktit mbetet i njëjtë: nervozizëm i panevojshëm, akt politik dhe si i tillë, më shumë dëmton sesa ndihmon formatin kushtetues që përfaqëson dhe duhet të prezantojnë kreu i shtetit.

Në ligjërimin politik e publik duhet bërë një ndarje e qartë midis kritikave, akuzave dhe kufirin ndarës të tyre me kërcënimin, shpifjen apo shantazhin. Kritika dhe akuza ka të drejtë të bëjë kushdo, edhe ndaj kreut të shtetit. Edhe Presidenti ka bërë me shumicë të tilla ndaj paraardhësve të tij kush ishte ministër apo politikan partiak. Nga kritikat nuk vjen asgjë e keqe. Ndodhin kudo, në çdo vend dhe përbëjnë një mekanizëm të demokracisë. Edhe kur politika e ditës në dehjen e rezultateve zgjedhore flet për komisione hetimore apo rishikim të kompetencave ligjore, nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi. Në raste të tilla vetë kreu i shtetit duhet të nxisë palët të përdorin pikërisht mekanizma të tilla kushtetues për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, pretendimeve ose përmirësimin e sistemit politik e qeverisës. Pjesa tjetër e pretendimit, që lidhet me shpifje, kërcënime e shantazh meritojnë rivlerësim dhe trajtim serioz përmes institucioneve dhe sistemit gjyqësor.

Gjithsesi, në akuzat e fundit dalin disa probleme me sjelljen publike të institucionit të Presidentit. Le të marrim çështjen e pronësisë së selisë së PD. Pjesa më e madhe e saj ka qenë Ministria e Komunales në kohën e regjimit komunist, më shumë se 50% e saj është ndërtuar nga poseduesi i ri. Ky është rasti i parë kur shteti vendos që ndërtesën e një ministrie ta kthejë tek pronarët, kur vetë Ministritë kanë mungesa të theksuara ambientesh. Rezidenca qeveritare në Vlorë i është kthyer pronarëve me vendim gjykate, por nuk zbatohet prej vitesh, – një standard i dyfishtë për të njëjtët aktor politikë e institucionalë si në rastin e shtëpisë së partisë. Nga ana tjetër, pronarët kanë të drejtë ligjore të kërkojnë kthim pronësie, dhe kushdo qoftë ai, duhet ti bëjë publike dokumentet, – jo të fshihet direkt/indirekt pas pushtetit aktual dhe imunitetit që shoqëron atë. P.sh, sipas praktikës perëndimore, në vend të deklaratës politike do të duhej të informohej publiku nëse vërtetë ka pasur konflikt interesi në këtë çështje, apo nëse vërtetë kreu i shtetit (kryekomandanti) ka firmosur pa marrë parasysh mendimin e Shtabit të Përgjithshëm. Në dy rastet mund të mos ketë vend për shkelje ligjore apo kushtetuese, por gjithnjë ka vend për transparencë publike. Mësimi që nxirret nga ky rast nuk është vullneti për të krijuar mure ndarës me konotacion të dyanshëm paragjykues dhe të dëmshëm për vendin, por aftësia për të dëshmuar sjellje institucionale dhe për të bërë transparencë publike, për gjithçka dhe në çdo kohë. Kjo vlen për Presidentin, për qeverinë në ikje, për Shtabin e Përgjithshëm, për qeverinë në pritje dhe për këdo tjetër që paguhet me taksat tona dhe është aty edhe për të përmbushur detyrimet e normat kushtetuese të një demokracie funksionale. Detyrimi për transparencë është detyrim kushtetues, normë demokratike, cilësi udhëheqjeje dhe praktikë bashkëkohore, – ndaj çdo institucion e zyrtar vendimmarrës duhet të aplikojë atë. Kur ka transparencë nuk ka vend për spekulime, kur ajo mungon, kujtdo i lind e drejta e spekulimit publik, sidomos kur bëhet fjalë për vendime që kanë ndikim direkt ose indirekt në debatin politik, stabilitetin politik, klimën politike apo interesat publikë.

Në aspektin kushtetues Presidenti aktual ka mbrojtje të fortë kushtetuese dhe me siguri, nëse gëzon shëndetin e plotë dhe ska ndërmend të japë dorëheqje, – do ta konsumojë plotësisht mandatin presidencial. Ai është zgjedhur për 5 vjet dhe mandati respektohet pa u lidhur me mazhorancat e radhës. Çdo nismë hetimi është pozitive, por çdo nismë shkarkimi do të ishte naive, e gabuar, jashtë çdo konteksti reformator. Madje, çdo nismë e tillë do të kthehej disfavor afatshkurtër, në dëm të institucionit presidencial e legjislativ, si dhe ironikisht edhe në dëm të interesit afatgjatë të vetë mazhorancës së re. Për shumë arsye publike e jopublike fati real i Presidentit aktual, vec mandatit kushtetues, është pikërisht mazhoranca e re, marrëveshjet brenda saj dhe praktikat e deritanishme.

Ngjarje të tilla duhet krijojnë hapësirë reflektimi për të gjithë, për evitimin e tyre por edhe për një fillim të ri në marrëdhëniet institucionale e politike në vend. P.sh, mazhoranca e re bëhet zyrtare në shtator, atë muaj ata do të betohen përpara Presidentit, i cili ndërkohë i ka para-akuzuar ata për shantazh e kërcënim!!! Kjo miza-skenë tranzicioni do vijojë me siguri me dekrete presidenciale për ndryshime në SHISH dhe vende vakant në disa institucione të tjera, sipas v

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›