Me nder qytetar!
Libohova, një qytezë e vogël në jug të Shqipërisë, ka shpallur Qytetar Nderi Bujar Nishanin, për shkak të origjinës së familjes së tij nga kjo qytezë. Kaq banal sa është bërë ky titull, nuk prish punë se një qytezë ja dhuron dhe Presidentit të Republikës, por kaq banal sa është bërë Presidenti i Republikës, druaj se dhe Libohovës i prish punë.
I prish punë për arsyen përse ja jep këtë titull. Të gjithë e dimë që merita e vetme pse Nishani merr atë titull, është se e ka bërë president Sali Berisha. Personalisht ai nuk ka shkelur kurrë më parë në Libohovë, nuk rrjedh nga ndonjë derë e e njohur e qytezës, dhe ka ndryshuar dhe mbiemrin Mehmeti, me të cilin familja ka ikur andej. Nuk është se i ka bërë ndonjë nder Libohovës me autoritetin e tijj si president, nuk është se ka çuar aty ndonjë investim, si p.sh ndonjë nënstacion elektrik të mos u ikin dritat, ndonjë unazë për qytezën, ndonjë fond për Kalanë e qytezës turistike apo qoftë dhe ndonjë inevstim për një rrugë normale drejt qytezës, që në fakt është katandisur në një fshat më të vogël se Lazarati dhe më pak turistik se Lavova e Kryqit krah tij, që së paku ka një Kishë për tu vizituar. Pra, meqë po e merr këtë titull nga kryetari i PD së së Gjirokastrës, duhet të paktën që kjo parti të kishte bërë diçka për këtë qytet. Ajo u ndëshkua aq keq në këtë qytezë dhe në gjithë Qarkun, sa falë këtij kryetari rrezikoi të dilte pesë me zero. Pra, nuk jemi në rastin kur një njeri dekorohet si një përfaqësues i një partie politike që ka bërë diçka për vendin e tij. Për Libohovën nuk ka bërë asgjë as Partia Demokratike, as një tjetër libohovit në origjinë, Genc Ruli dhe natyrisht ska asnjë lidhje me të as Bujar Nishani.
Arsyeja e dytë përse duhet ta bënin qyetar nderi ishte nëse ky ishte një president dinjitoz dhe i jepte emër qytezës nga ku të parët e tij janë larguar. Me mënyrën e padenjë se si u zgjodh dhe më pas me sjelljet e tij prej kapteri para një komandanti që shqiptarët e ndëshkuan me një milion vota kundër, Bujar Nishani po dëshmon se jo vetëm që nuk është një qyetar i denjë, por nuk është as një qyetar dinjitoz i zhveshur nga pushteti. Ai po përdoret aktualisht si kamikaz nga Sali Berisha dhe është në qendër të një cikloni përplasjeje mes qeverisë së re dhe opozitës së re, duke u rreshtuar me vetëdije si një figurë përçarëse e unitetit kombëtar. Kjo e bën atë jo dinjitoz për çdo qytetar të Shqipërisë dhe natyrisht dhe për Libohovën, e cila ka plot qytetarë më dinjitozë se ky kamikaz i konfliktit politik në vend.
Për më tepër përdorimi i tij i fundit politik vjen dhe erë korrupsioni. Ai nuk po përdoret për ndonjë tekë personale të Sali Berishës, por për një plan të qartë biznesi mes tij, Bashës dhe Berishës, për të prishur godinën aktuale të Partisë Demokratike dhe për të ndërtuar në vend të saj një gradaçelë, ku familja Nishani është pronare nga gruaja. Pra, më thjesht, po i vë zjarrin vendit për të përfituar një tokë të gruas së tij jashtë rregullave dhe standarteve që vet pushteti i tij ka krijuar për ish- pronarët. Ai po liron me forcë një pronë të gruas, duke zënë me forcë një tjetër pronë ish- pronarësh, siç është godina e SHQUP-it, e cila nëse ka dalë vërtet jashtë funksionit, le tu kthehet pronarëve.
Ai po imiton në gjuhën e tij politike, dhe në fjalorin e tij të varfër të diktuar dhe në taktikat e replikës me shumicën e re, stilin e njohur të Sali Berishës për të mos ju përgjigjur akuzave. Ai po akuzohet se po investohet në një konflikt politik për interesa tërësisht personale, se ka pronë gjysmën e ndërtesës së PD-së, kurse ai përgjigjet pse akuzohet se i ka shtuar fonde Berisha, të cilat në total e bëjnë rikonstruksionin e vilës së tij 1.4 milion dollarë. Me kaq dollarë bëhen katër vila si ajo e Bujar Nishanit nga e para dhe jo më të rikonstruktohet një, edhe sikur kësaj të fundit ti vësh robot për të pastruar dhe në tualet prapanicën e tij.
Pra, ai nuk u përgjigjet këtyre akuzave, por përzgjedh ndonjë akuzë më lehtësuese për tu dukur sikur po i bien më qafë.
Por, gjëja më fyese në gjithë këtë gjest aspak të rëndësishëm për qyetarët normal të vendit, është që PD po përpiqet ta kthejë Nishanin në hero të saj, në një të mbijetuar në pushtet, që do të jetë në vijën e parë të mbijtesës së tyre politike pas ndëshkimit të madh popullor që morën. Në PD askush nuk e ka marrë seriozisht këtë dordolec, përveçse tani, kur PD është katandisur tu duket hero dhe Bujar Nishani. Pra, ai jo vetëm që nuk ka qenë një njeri që i ka bërë nder PD-së, por ka qenë një figurinë anektodike e saj. Sot ai po përpiqet të ringjallet nga PD-ja jo si simbol i unitetit kombëtar që duhet të ishte, por si simbol i përçarjes, i mbijetesës politike dhe përdorimit si kamikaz dhe minues i pushtetit të ri. Ai e bëri gjestin e parë të shëmtuar disa javë më pare, pak ditë pas zgjedhjeve, kur mblodhi krerët e institucioneve të pavarurra, të gjithë kamikazë të PD-së dhe u bëri thirrje ti rezistojnë pushtetit të ri, në shkelje të plotë të Kushtetutës. Karshillëku i tij i ri, i motivuar dhe nga interesa korruptive financiare, e bëjnë këtë figurinë një model të turpit në krye të vendit, dhe shembullin më të keq për çdo qytetar të këtij vendi që duhet ti kontribuojë ecjes para të vendit, paqes sociale dhe standarteve të shtetit ligjor.
Në këtë histori provinciale, ku një kryetar PD-je, i pavotuar nga populli, dhe që Libohova i njeh për kontribut vetëm punësimin e sekretares, kërkon ti bëj karshillëk qytetarëve, duke dekoruar dikë për të cilin nuk mund të krenohet askush, natyrisht nuk ka vend për të qenë serioz ndaj këtij akti. Sidomos kur me gjestet e tij shumica e shqiptarëve para se ta përfytyrojnë si qytetar nderi, e perceptojnë si …”me nder… qyetar”.
