Prite zot rrezikun!
Nga facebooku kryeministri në ikje u bën thirrje militantëve të PD-se: Të jenë gati sepse Mazhoranca e re përbën rrezik kombëtar, me pretekstin se ajo ka reaguar ndaj përbuzjes dhe nëpërkëmbjes që ky Kryeministër në ikje i ka bërë ish-ushtarakëve, elitës së shoqërisë shqiptare, të cilët deri tani kanë treguar një durim dhe maturi pa limit. Kryeministri në ikje në fakt, nuk e kupton se ai vetë është agresori. Vetë Ai i kërcënoi ushtarakët në mbledhjen e tij të fundit me qeverinë e tij në ikje se, do tu hiqte statusin atyre, nëse do guxojnë të tubojnë kundër rrëmbimit të copës së fundit që i kish mbetur Ushtrisë Shqiptare nga dinjiteti dhe lavdia e saj e dikurshme.
Po kush është ky njeri, që kërcënon grupe njerëzish të caktuar në rast se ata do të protestojnë, për çdo gjë, që ata mendojnë se duhet të reagojnë, si qytetarë të lirë të një shteti demokratik?
Më 21 janar u vranë katër protestues më se paqësor me duar në xhepa, dhe dy javë përpara largimit ky njeri kërcënon ushtarakët se do tiu heqë një status, të cilin e kanë fituar më parë, pa ndonjë parakusht, se nëse do të kërkojnë me forma proteste ndonjë të drejtë të tyre, ai mund tiu hiqet.
Kaq shumë është shqetësuar kryeministri në detyrë, prej reagimeve të mediave dhe Mazhorancës së ardhshme sa i bën thirrje militantëve të tij, të cilët nuk e votuan më 23 qershor, të jenë gati se kjo Mazhorancë, që po vjen paraqet rrezik kombëtar?!
Prite Zot rrezikun!- do thoshin shkodranët në këtë rast.
Përsëri filloi me kasetën e bijve dhe etërve, kasetë e cila nuk i funksionoi, përderisa 1000 000 shqiptarë i dhanë atij votën kundër. Kryeministri në ikje duket se nuk ka bërë asnjë analizë të humbjes së tij dhe as që ka ndërmend ta bëjë ndonjëherë. Ai nuk e ka besuar, por tani që nuk është më kryetar Qeverie, duhet ta kuptojë se logoja devide et impera (përça e sundo) nuk përqafohet më nga ky popull i lodhur e i helmuar nga urrejtja klasore.
Sali berisha është i pa aftë sot të ngrejë një alibi për të mbajtur pranë militantët e tij të lodhur e të zhgënjyer. Asnjë rrezik kombëtar nuk e pret këtë vend. I vetmi rrezik, që e ka agresuar këtë popull dhe nuk e ka lënë një minutë të qetë gjatë këtyre 23 vjetëve ka qenë kryeministri në ikje. E dimë se në katër vitet që do vijnë nuk do arrijmë Gjermaninë, por shpresojmë se politika përça e sundo do të marrë fund. Nuk ka më asnjë kuptim i biri dhe e bija, vëllai dhe e motra, kunati e kunata, nipi dhe mbesa, e filanit, sepse ne nuk mund të lindnim nga hiçi, sigurisht që kemi prindër, vëllezër e motra, daja dhe xhaxhallarë dhe të gjithë janë individë të lirë dhe meritojnë të jenë të qetë, e të mos meren nëpër gojë kurrë, për përfitime politike. Më në fund shpresojmë se të ikurit nga kjo botë do të prehen të qetë dhe të gjallët do vazhdojnë jetën e tyre të patrazuar nga lidhjet rastësore të gjakut me individë, që merren me politikë apo aktivitet çfarëdo publik.
