E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti, Aleanca KuqeZi: Partitë vunë në lojë popullin dhe kandidatin Zaganjori

Share

Aleanca Kuq e Zi ka akuzuar partitë kryesore ne vend se kane dështuar ne procesin e zgjedhjes se Presidentit. Sipas përfaqësuesve te Aleancës 3 raundet e para te zgjedhjes se kreut te ri te shtetit kane vene ne loje jo vetëm popullin, por edhe kandidatin e pa zyrtarizuar te mazhorances, Xhezair Zaganjorin. Sipas Aleancës Kuq e Zi, kjo loje e turpshme e klasës politike, e cila po i kushton Shqipërisë statusin e kandidatit, duhet ti binde shqiptaret qe te mos votojnë me këto parti.

“Të hënën në Kuvend hapet sipari i turpshëm i raundit të katërt të një farse të vërtetë që ndodh vetëm në vende si Shqipëria. Si gjithmonë politika shqiptare në konfliktin e saj të njohur nuk ishte në gjëndje  të çpolitizonte procesin e zgjedhjes së  Presidentit. Shqiptarët prisnin, që figura të njohura kandidatësh për President, të propozuara nga të dy palët, te dilnin në skenën e garës muaj me parë,  që të njiheshin dhe të  diskutoheshin në mbarë opinionin publik.

E kundërta ndodhi:

Skenarët e netëve diabolike do të sillnin këtë produkt pa produkt, ku të tre raundet e kësaj komedie,  u përcollën me aq shumë zhurme, me përbetime për proces të munguar , për njëanshmëri, në një konsumim total të fjalës konsensus që fatkeqesisht  është e huaj për politikën shqiptare.

Zhurmënaja mediatike, urija e një turme të tërë analistësh, në vend që të vinin gishtin mbi plagë, u bënë edhe më shumë  transmetues të kësaj fantazme  nga Mazhoranca tek Opozita, me qellimin e vetem,  qe populli te  harronte krizën e thelle ekonomike dhe morale qe ka mberthyer vendin. 

Populli pret Presidentin konsensual, Brukseli po ashtu, kurse ne parlament edhe një emër që afishohet, e për të cilin përbetohen se eshte kandidati ideal, nuk propozohet as zyrtarisht. Kjo  nuk eshte vetem fyerje per kandidatin por mbi te gjitha eshte tallje me popullin.

Aleanca Kuq e Zi që në krye të herës ka bërë të qartë se nuk mund të ketë zgjidhje konsensuale , derisa fillimi i këtij procesi ka qënë poshtërues ndaj Kushetutës dhe dinjitetit të demokracisë shqiptare që su arrit kurrë.  Urrejtja dhe papajtueshmeria që kanë të dy partitë e mëdha ndaj njëra-tjetrës,  është duke e infektuar gjithë shoqërinë e sotme shqiptare.

Në demokracinë shqiptare populli ka ngelur në skajin më të largët, dhe ndërkaq , në papërfilljen e tij të plotë,  një kleptokraci autokratike ka shtënë në duar politikën.

Populli ynë që pret me padurim  marrjen e statusit  të vendit kandidat për në Bashkimin Europian duhet të ndëshkojë me votën e tij demokratike pengimin e vetëdijshëm të progresit politik, ekonomik dhe shoqëror të vendit“, thuhet në një deklaratë të Aleancës KuqeZi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›