E Hënë, 2 Nëntor 2026

Presidenti Begaj takon kreun e KE-së, António Costa: Shqipëria do të vijojë të luajë rolin si lehtësuese e dialogut dhe urë lidhëse midis Ballkanit Perëndimor dhe Evropës

Presidenti i Republikës zhvilloi të enjten një takim me Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, me rastin e pjesëmarrjes në Samitin e Komitetit Politik Evropian në Shqipëri.

Sipas një njoftimi për shtyp, Kreu i Shtetit u shpreh se Shqipëria është thellësisht mirënjohëse ndaj Këshillit Evropian për mbështetjen në vijueshmëri të politikave të zgjerimit të BE-së.

“Rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE-së vjen natyrshëm nga zgjedhja jonë historike. Për më shumë se tri dekadash, populli shqiptar mbështet në mënyrë të palëkundur anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke e parë këtë si konsolidim të demokracisë, zhvillim ekonomik të mëtejshëm dhe stabilitet rajonal.”, njofton presidenca.  

Sipas Begajt, Shqipëria është e dedikuar në mbështetje dhe respektim të të drejtave themelore të njeriut, duke përfshirë këtu të drejtat e minoriteteve, demokracisë dhe sundimin e ligjit.

“Ne besojmë fort se Bashkimi Evropian mbetet mjeti më efektiv gjeopolitik për të adresuar sfidat e sigurisë, pasiguritë dhe sfidat ndaj paqes dhe stabilitetit. Shqipëria do të vijojë të luajë rolin e saj si lehtësuese e dialogut dhe urë lidhëse midis Ballkanit Perëndimor dhe pjesës tjetër të Evropës, duke qenë  shtyllë mbështetëse për përballimin e sfidave gjeopolitike.”, mbyllet njoftimi për shtyp.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›