E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Presidenti Biden largohet nga Kievi: Putin kërkon fshirjen e Ukrainës nga harta, lufta e tij po dështon

Presidenti amerikan Joe Biden është larguar nga Ukraina, pas vizitës së papritur që zhvilloi këtë të hënë (20 shkurt) në Kiev dhe takimit që zhvilloi me Presidentin Volodymyr Zelensky.

Pas premtimit për mbështetje të vazhdueshme të SHBA për Ukrainë, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Zelenskyn, Biden u shpreh se lufta e Presidentit rus Vladimir Putin, po dështon. Biden theksoi se qëllimi i Putin, është fshirja e Ukrainës nga harta. E teksa mbante fjalën në konferencë, sirenat e sulmit ajror shpërthyen në kryeqytet.

Më tej, Presidenti Joe Biden nderoi “guximin dhe udhëheqjen” e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në një mesazh të shkruar në librin e të ftuarve në Pallatin Mariinsky, rezidenca zyrtare e Presidentit të Ukrainës.

“Jam i nderuar që jam mirëpritur sërish në Kiev për të qëndruar në solidaritet dhe miqësi me popullin liridashës të Ukrainës, zoti President. Ju lutemi pranoni respektin tim më të thellë për guximin dhe udhëheqjen tuaj. Slava Ukraina! (Lavdi Ukrainës). Joe Biden”, shkroi Biden.

Ndërkohë nga ana e tij, presidenti Zelensky vlerësoi vizitën e Biden në Kiev, teksa shtoi se rezultat e këtij takimi, do të kenë pasoja në fushën e betejës në çlirimin e territoreve ukrainase.

“Kjo bisedë na sjell më afër fitores. Rezultatet e kësaj vizite me siguri do të shihen dhe me siguri do të kenë pasoja në fushën e betejës në çlirimin e territoreve tona. Ukrainasit kujtojnë fokusin, vëmendjen, qëndrimin që Presidenti Biden dhe SHBA i kanë dhënë Ukrainës. Unë ju falënderoj për këtë nivel të bashkëpunimit SHBA-Ukrainë”, tha Zelensky.

Zelensky tha se kishte diskutuar furnizimin e Ukrainës me armë më të avancuara perëndimore dhe përmendi vendimin e fundit të SHBA për të dërguar tanke Abrams në vend si një moment tjetër përcaktues. 

“Vendimi i SHBA-së për tanket Abrams ka paraqitur tashmë një bazë për krijimin e një koalicioni tankesh dhe është me rëndësi historike. Ne kemi folur gjithashtu për armët me rreze të gjatë dhe armët që mund të furnizohen ende në Ukrainë, edhe pse nuk janë furnizuar më parë”, shtoi Zelensky.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›