Presidenti Fushaj shmang largimin e malazezve
Situata në kampin kuqeblu të Vllaznisë duket se po shkon drejt normalizimit. Pas një lëkundjeje që u vu re me largimin e disa titullarëve të formacionit të parë, ndërhyrja e presidentit Valter Fushaj bëri që disa prej tyre të ndryshonin mendje. Mes tyre është edhe portieri malazez, Miroslav Vujadinoviç, largimi provizor i të cilit erdhi për një keqkuptim që ai pati me presidencën në lidhje me një shtesë në pagën e tij, gjë e cila përcaktohej në kontratë. Siç pati bërë të ditur edhe vetë Vujadinoviç, ndarja mes tij dhe Vllaznisë nuk ka qenë përfundimtare, sepse për të saktësuar gjithçka ishte lënë një takim i dytë mes tyre. Takim që, sipas një prononcimi të vetë malazezit, është realizuar dhe këtë radhë presidenti Fushaj ka pranuar të respektojë atë që i kishte premtuar Vujadinoviçit, e cila konsistonte në shifrën e 5 mijë eurove. Po kështu pranë një rikthimi është edhe mbrojtësi i qendrës, malazezi Blazhe Rajeviç, të cilit i ka përfunduar kontrata me kuqeblutë, dhe një ofertë e dytë e shkodranëve duket se e ka bindur të rikthehet te skuadra ku luajti me sukses sezonin e kaluar futbollistik.