Trajneri i Çezenës: Bogdani na shërben akoma
Nuk ka ditë të mos ketë lajme për Erion Bogdanin, shpesh kontradiktore. Edhe pse ishte bërë e ditur se ai ishte një nga më të mundshmit për t’u larguar, trajneri i Çezenës, Marko Xhampaolo, e konfirmoi sulmuesin 34-vjeçar shqiptar, duke deklaruar se ai e sheh akoma si të dobishëm si lojtar. “Bogdani, një djalë i jashtëzakonshëm, është një pykë e parë në sulm, mund të jetë i dobishëm në vijueshmërinë e kampionatit, do të qëndrojë me ne, pasi do të na shërbente edhe për të ndryshuar mënyrën e lojës gjatë një ndeshjeje”. Deklarime të qarta, që konfirmojnë edhe faktin se Erion Bogdani do të jetë te Çezena edhe sezonin e ardhshëm. Vetëm dy ditë më parë mediat italiane theksuan se me ardhjen e Kozak dhe Rodrigues nuk kishte më vend për Bogdanin në ekipin e Çezenës. Ato shkruanin se sulmuesi shqiptar është në prag të largimit nga Çezena, pas vetëm një sezoni me ekipin nga Romanja, duke aluduar se Kozak dhe Rodriguez janë në planet e e ardhshme të Çezenës. Po sipas të njëjtave media italiane, Bogdanit nuk i mungojnë ofertat, ndërkohë që Çezena synon të fitojë një vend ekstrakomunitari. Pak ditë më parë Erioni shënoi një gol të mrekullueshëm në miqësoren e fituar 1-0 kundër anglezëve të Kuins Park Rejnxhërs, dhe duket se me këtë performancë të tij ai ka rifituar besimin e trajnerit edhe për një sezon tjetër. Bogdani shënoi 8 gola sezonin e kaluar, dy prej tyre kundër Milanit dhe Interit, duke ndihmuar skuadrën e Çezenës të mbijetojë në Serinë A. Kështu që, siç deklaroi dje Marko Xhampaolo, Çezena ka nevojë akoma për shërbimet e sulmuesit shqiptar, duke i dhënë fund me këtë deklaratë të tij dyshimeve se Erion Bogdani mund të largohet nga ekipi romanjan.