Presidenti, Kuvendi voton sot Artan Hoxhën

Kuvendi pritet të votojë sot kandidaturën e mazhorancës për president të vendit, Artan Hoxhën. Emri i tij u bë publik mbrëmë nga kryeministri Sali Berisha në përfundim të tryezës së dytë të bisedimeve me kryetarin socialist Edi Rama.
“Mazhoranca vendosi që të paraqesë për votim në Parlament një personalitet të shquar të shoqërisë civile dhe publicistikës shqiptare, drejtuesin e Institutit të Studimeve Bashkohore, institut ky që është dhe hartuesi i të gjitha ligjeve të reformave ekonomike, veçanërisht ekonomike gjatë së paku 12 viteve të fundit”, tha kryeministri.
Në takimin ku ishin të pranishëm edhe dy aleatët e kryeministit Berisha, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta dhe ai i partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet Shpëtim Idrizi. Shumica paraqiti krahas emrit të zotit Hoxha dhe tre kandidatura mes të cilëve ministri i saj i Mbrotjes Arben Imami, ai i Brendshëm Bujar Nishani si dhe këshilltari ekonomik i kryeministrit, Petraq Milo.
Kandidatura të cilat sipas kryetarit socialist Edi Rama ishin “emra të dalë nga oborri i pushtetit” dhe për të cilët opozita nuk mund të jepte konsensusin. “Zhvillimi i tryezës ishte i tillë që e bëri, praktikisht, të pamundur shtjellimin e mëtejshëm të një momenti dialogu dhe bashkërendimi të energjive dhe të forcave për të arritur në një zgjidhje konsensuale. Qeveria erdhi me një ofertë të kufizuar brenda oborrit të saj, e cila ishte një ofertë, që praktikisht ia bënte të pamundur opozitës mbështetjen me votë të cilësdo prej kandidaturave të ofruara" theksoi Rama.
Mblidhet grupi i PS-së dhe Komisioni i Ligjeve
Në orën 09:00 është mbledhur grupi parlamentar i PS-së i cili ka vendosur të jetë i pranishëm në raundin e katërt të votimit për presidentin por nuk do të marrë pjesë në votim.
Ndërkohë në orën 09:45 është mbledhur edhe Komisioni i Ligjeve i cili ka zyrtarizuar kandidaturën e Artan Hoxhës dhe më pas me anë të një raporti ia ka paraqitur seancës plenare përpara se emri i Artan Hoxhës të hidhet në votim.
Ndërkohë raundi i katërt për votimin e presidentit të ri do të ndiqet edhe nga trupi diplomatik i akredituar në Tiranë. Ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi si dhe ambasadorë të tjerë ndodhen në sallën e Kuvendit për ta ndjekur nga afër seancën plenare.
Kush është Artan Hoxha?
Artan Hoxha është një nga ekspertët e mirënjohur të ekonomisë. Ministër i Tregtisë dhe Bashkëpunimit Ekonomik (1992-1993)
Drejtor e më pas President i Institutit të Studimeve Bashkëkohore (ISB) nga viti 1997 e në vazhdim ; Anëtar i Këshillit të Administrimit të Universitetit të Tiranës (Shkurt 2008-Maj 2010) ; anëtar i Bordit Këshillimor të Qendrës Kërkimore për Evropën Juglindore (SEERC) në Selanik të Greqisë ; anëtar i Bordit Këshillimor të Televizionit Ora News ; anëtar i Bordit Këshillimor të Revistës Monitor ; themelues, anëtar dhe Drejtor i Bordit të Drejtorëve të Qendrës së Arbitrimit dhe Ndërmjetësimit Tregtar, janë disa nga rolet e mbajtura apo në ushtrim e sipër nga z. Hoxha. Përgjatë karrierës së tij mbi 20 vjeçare, z. Hoxha ka kontribuar në përgatitjen e politikave, strategjive dhe ligjeve më të rëndësishme të lidhura me reformat ekonomike dhe institucionale.
Artan Hoxha ka kryer studimet pasuniversitare Master në Ekonominë e Mjedisit dhe Energjisë në Shkollën Pasuniversitare Enrico Mattei të Grupit Eni, Itali (1994-1995) dhe ato universitare në Fakultetin e Gjeologjisë e Minierave të Universitetit Politeknik të Tiranës (1984-1989).
Vitet e fundit, ka luajtur rol thelbësor në ngritjen e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR), Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL), reformimin e sistemit fiskal, krijimin e gjykatave administrative dhe aktualisht po punon për reformimin e sistemit institucional e ligjor të inspektimeve administrative mbi biznesin.
Së fundmi Artan Hoxha, u bë një figurë e njohur publike edhe për shkak të angazhimit në publicistikë apo dhe si opinionist për ngjarjet dhe zhvillimet politike dhe ekonomike në vend, me qëndrime në mbështetje kryesisht ndaj së djathtës në pushtet.