Presidenti Lula dhe Mugabe falënderojnë Shqipërinë për shkollimin
Kryeministri, Sali Berisha, më në fund ka arritur të takojë pas shumë vitesh një mik të madh të Shqipërisë, presidentin e Brazilit, Lula. Për të gjithë ata që nuk e dinë, Lula është një nga ish-marksist-leninistët e shkolluar në Shkollën e Partisë në Tiranë në kursin e Marksizmit. Ka pas të njohur Servet Pëllumbin, ka marrë mësime nga Koço Danaj dhe natyrisht ka bërë praktikën e partisë në disa organizata partie model në Tiranë. Kur u bë president i Brazilit, e ftoi zotin Pëllumbi të ishte në ceremoninë e inaugurimit. Kryeministri Berisha nuk hynte te të ftuarit në atë kohë dhe rasti i parë që të takohej me të ishte ky i Pekinit. “Në këtë pritje, u takova për herë të parë me presidentin e Brazilit, Lula, tek i cili më paraqiti presidenti Bush. Me Presidentin Lula diskutuam për marrëdhëniet midis dy vendeve. Presidenti Lula më ftoi të vizitoj Brazilin, ftesë që unë e pranova me kënaqësi. Sikundër e ftova presidentin Lula të vizitojë Shqipërinë. Në këtë mënyrë të inkurajojmë marrëdhëniet dhe shkëmbimet midis dy vendeve tona”.
Interesant është fakti se kryeministri, nga frika se mos e paragjykojnë shqiptarët pse ka takuar një komunist të njohur ndërkombëtarisht, e ka justifikuar se ia ka prezantuar presidenti Bush, të cilin e dimë të gjithë që nuk është komunist. Në Pekin ishin po ashtu dhe shumë liderë të tjerë prokomunistë dhe komunistë, por fati nuk ia ka sjellë afër presidentit Bush dhe kryeministri ynë nuk i ka takuar.
Por, pas konferencës për shtyp, rubrika jonë u lidh me Flamurin, për t’i bërë komentet e veta rreth këtyre takimeve dhe një lloj dashurie që po shfaq kryeministri ynë për disa nga liderët komunistë të botës. Por shpjegimi i Flamurit ishte krejt tjetër.
- Takimi me Lula-n nuk ka të bëjë me idetë e tij komuniste, por me lidhjet me Shqipërinë, - tha Flamuri. - Ne duhet të mbrojmë investimet tona në botë, pavarësisht ngjyrës ideologjike. Për shembull, nuk është vetëm Lula që ka mbaruar shkollën në Shqipëri. Dhe presidenti Mugabe, i cili shkaktoi problem të madh para dy muajsh me ri-manipulimin e zgjedhjeve dhe përjashtimin e opozitës në Tanzani, është shkolluar në Shqipëri. Ka qenë në një brez me doktorin në fakultet për mjekësi. D.m.th., është doktor. Dhe unë e kam koleg atë dhe gruan e tij. Ata gjuha e huaj e dytë që dinë është shqipja. Dhe s’mund të thuhet se nuk janë shkolluar. Kanë vite të tëra që nuk e dorëzojnë pushtetin atje. Kjo do të thotë se janë aftësuar më shumë se grupet rivale. Po ashtu, dhe Kabila në Kongo. Kabila i vjetër, se ky i riu nuk ka shumë lidhje me Shqipërinë. Të gjithë këta i janë mirënjohës Shqipërisë, se jo vetëm që u hapi sytë, por dhe u ka rritur prestigjin në fiset e tyre dhe i ka bërë presidentë.
- Ne, - tha Flamuri, - duhet t’i forcojmë marrëdhëniet me ato vende, liderët e të cilëve kanë studiuar në Shqipëri. Në këtë kuadër dhe doktori ka takuar presidentin Lula dhe ka pritur me kënaqësi ftesën për në Brazil.
- A thua do t’i marrë me vete në delegacion pedagogët e Shkollës së Partisë që kanë edukuar Lula-n? - e pyetëm Flamurin.
- Unë them se mund ta marrë ndonjë, - tha Flamuri. - Në fund të fundit, arritje është për Brazilin. Kjo punë e të studiuarit jashtë me hile është gjithandej. Ja, dhe doktori na solli ne ca me mastera falsë në Evropë dhe i futi të gjithë në qeveri. As e mori vesh njeri kishin a s’kishin shkollë. Dhe në Brazil e kanë ngrënë sikur Lula ka bërë universitet këtu. Në fakt, Shkollën e Partisë ka mbaruar me Koço Danajn dhe Elmaz Sherifin. Po në Brazil e kanë ngrënë. S’kemi ç’t’u bëjmë.
- D.m.th., ti thua që Lula në Brazil qenka si Lul Basha këtu? - e pyeti Antena Flamurin.
- Njësoj, - tha Flamuri. - Dhe Luli i shkolluar jashtë vendit është dhe njësoj si Lula qesh dhe kur duhet të qajë nga ato që dëgjon e shikon.