E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Djalëria e Vlorës të merret me Bollanon”

Avokati i njohur i Parlamentit shqiptar, Spartak Ngjela, ishte në mbështetje të zjarrtë ndaj pronarëve të ligjshëm himarjotë. 

Aristir Lumezi

 Në mitingun e protestës së organizuar nga deputeti Nikollaq Neranxi, Ngjela akuzoi ashpër kryetarin e bashkisë së Himarës dhe kërkoi që banorët e bregut të merren seriozisht me abuzimet e tij. 
“Jam i informuar se me një kryetar bashkie bastard, që nuk dihet se kujt i përket, Himara po kthehet në një mollë sherri, por me një sherr të stisur. Ai që mendon se do t’i marrë pronat himarjotëve dhe në këtë mënyrë do t’i zhvlerësojë hipotekën e shqiptarëve mbi këto treva, është naiv dhe i poshtër. Bashkë me zotin Neranxi jemi duke krijuar një lob parlamentar të një grupi deputetësh për çështjen e Himarës”, tha Ngjela. Avokati i njohur u shpreh se, Bollano me veprimet e tij nuk do t’i shpëtojë drejtësisë. “Më kanë ardhur himarjotë në zyrë që kishin 200-300 mijë euro të investonin në Himarë, kryetari i bashkisë i ka ndjekur, ujërat e zeza derdhen në det për të shkatërruar turizmin. Ky kryetar bashkie duhet të mendohet mirë se ligji do të veprojë rëndë mbi të, nuk ka kush e mbron, pushteti gjyqësor është i pavarur, të mos bëjë petulla me ujë”, tha Ngjela. I njohur në Kuvendin e Shqipërisë për patetizmin e tij, veçanërisht për çështjet kombëtare, Ngjela siguroi himarjotët se e drejta e tyre sot është më e mbrojtur se kurrë. “Ju kujtoj dhe atyre që janë aty prapa, se Shqipëria dhe shqiptarët janë në momentin më të fuqishëm të tyre të këtij shekulli dhe të shekullit që vjen. Duhet ta dinë të tërë se ne nuk jemi një komb 3 milionë sot, por jemi një botë shqiptare, një komb prej 8 milionë që banojnë në trojet e tyre në Ballkan dhe nuk ka forcë që të tallet me pronat dhe tapitë e shqiptarëve. Kjo s’ka ndodhur as sot dhe asnjëherë”, tha Ngjela. Deputeti i djathtë i Kuvendit të Shqipërisë, i cili kalon vazhdimisht pushimet e tij në Himarë, i bëri apel banorëve të Bregut që të mos lejojnë kryetarin e bashkisë së Himarës t’u tjetërsojë pronat e ligjshme që gëzojnë me ligj. “Kam ardhur t’i drejtohem tempit patriotik të piluriotëve, të Vunoit, të Himarës, t’i bëj thirrje djalërisë patriote të Vlorës dhe të merret seriozisht me këtë kryetar bashkie, që po inatos tërë shqiptarët në 28 mijë km2. Kush është ky? Le të dalë këtu dhe të bëjë debat me mua, po të dojë. Nuk ka njeri në botë, nuk ka shtet që ju prek juve, juve jeni në aleancat më të mëdha të historisë botërore, jeni pjesë e një kombi, i cili po rilind, të jeni të sigurt se ju do të lulëzoni në trojet tuaja dhe kjo trevë do të jetë pjesa më e madhe e turizmit shqiptar, do të jetë e ardhura më e madhe e shqiptarëve. Ata që duan të prekin tokat tuaja duan të dëmtojnë ekonomikisht shqiptarët”, tha Ngjela.

Bashkia prishi podiumin

Me urdhër të kryetarit, punonjësit e bashkisë së Himarës e konsideruan të paligjshëm ngritjen e një podiumi, mbi të cilin do të flisnin referuesit e këtij tubimi kundër veprimeve të kryetarit të kësaj bashkie, Bollano. Në orët e para të mëngjesit, pasi kanë parë kamionët e kompanisë “Neranxi”, të cilët kishin sjellë materialet e nevojshme për ngritjen e podiumit, punonjësit e bashkisë kanë ndërhyrë duke çmontuar çdo gjë që ishte ngritur deri në atë moment. Ka qenë ndërhyrja e deputetit Neranxi, i cili ka folur me autoritetet policore, nga të cilët kishte marrë dhe lejen e organizimit të tubimit për të qetësuar situatën dhe për zhvillimin normal dhe pa tensione të tij. Podiumi, i cili ishte vendosur me shikim nga bashkia e Himarës dhe kishte një banderolë në mbrojtje të pronave të himarjotëve, bëri të mundur që folës, mes të cilëve dhe kushëriri i vetë kryetarit të bashkisë, të shprehnin shqetësimin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›