E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i Gjeorgjisë për ambicien euroatlantike

Ndërsa bota pa marshimin e forcës së Kinës në Olimpiadën e Pekinit, presidenti i Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili, po bënte një apel të përvajshëm te Perëndimi për ta ndihmuar kundër agresionit ushtarak rus.

Një fakt është i qartë: trupat e Kremlinit nuk do të gjendeshin sot në Osetinë Jugore, nëse Gjeorgjia do të ishte një aleat besnik. Përkundrazi, z. Saakashvili po paguan çmimin për politikën e tij të jashtme pro-perëndimore dhe në veçanti ambicien e tij për t’iu bashkuar NATO-s.

Dy ngjarje vendimtare rreth kufijve të Gjeorgjisë kanë shkrepur tërbimin e Rusisë. E para ka qenë deklarata e pavarësisë së Kosovës në shkurt dhe njohja e mëpastajme e shtetit të ri nga shumë shtete perëndimore. Kjo solli një paralajmërim publik nga Moska se lëvizja e Kosovës me pavarësinë mund të shkaktojë një precedent për dy rajonet në shkëputje të Gjeorgjisë, Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut.

E dyta ka qenë zotimi i NATO-s në Samitin e Bukureshtit në prill se anëtarësimi në Aleancën Atlantike, edhe për Gjeorgjinë, edhe për Ukrainën nuk ishte çështje e “nëse”, por e “kur”, ndonëse duke respektuar kundërshtimet e Rusisë, asnjë afat kohor nuk ishte garantuar. Kjo kishte provokuar Vladimir Putinin, atëherë edhe më tej president i Rusisë, të premtojë më shumë mbështetje për rajonet shkëputëse të Gjeorgjisë.

Përkundër abdikimit nga Lufta e Ftohtë, Rusia i konsideron shtetet e dala nga ish- Bashkimi Sovjetik si sferën e vet të influencës. Ndërhyrja ka të bëjë me dërgimin e mesazhit nga Moska në Uashington për “të mbajtur hundën larg” një fushe që Kremlini e ka parë si brenda domenit të saj.

Por, siç paralajmëroi të premten z. Saakashvili, kjo nuk ka të bëjë më me një vend modest që nuk zihet nga radari. Fati i Gjeorgjisë ka të bëjë me rendin e ardhshëm botëror, vendin e Evropës në të dhe shtytjen e Moskës që të pushojë sjelljen e saj brutale që po karakterizon politikën e saj të jashtme aktuale.

Krimi i Gjeorgjisë, siç shihet nga Kremlini, është që ka përkrahur vlerat e predikuara nga Perëndimi dhe që ka guxuar të thotë se dëshiron të zgjedhë miqtë e saj.

Për të qenë të sigurt, z. Saakashvili ka dëmtuar reputacionin e vet nga ndrydhja e disidencës në nëntor, por në botën post-sovjetike të autoritarizmit dhe korrupsionit shtetëror marramendës, Gjeorgjia mbetet një prej shenjave të dritës.

Nëse Perëndimi përulet tani përballë shtrëngimit të muskujve nga Moska, mesazhi për çdo aspirant tjetër për klubin demokratik do të jetë haptas i qartë: merreni atë rrezik, nëse dëshironi, por mos llogarisni ndihmën tonë, nëse gjërat ecin keq.

Gjeorgjia tani qëndron në krye të një konflikti grotesk të pabarabartë me një Rusi në ringjallje që kruhet për të shtrënguar muskujt dhe që digjet nga një arrogancë postperandorake. “Causus belli” i zgjedhur është Osetia e Jugut, që luftoi për ndarje kundër Gjeorgjisë më 1992 dhe që ka gëzuar mbështetjen e Rusisë që atëherë.

Aq shumë, sa Rusia ka kaluar vitet e intervenimit duke iu dhënë pasaporta ruse çdo osetiano-jugori që është interesuar për ta pasur atë.

Këta janë njerëzit, të cilët Dmitry Medvedev kishte në mendje të enjten, kur tha se si president i Federatës së Rusisë ishte i obliguar të mbështeste jetët e qytetarëve rusë kudo që ata ishin.

Forcat ruse përbëjnë një pjesë të vetërregulluar si “forcat paqeruajtëse” në Osetinë e Jugut - por shihen nga gjeorgjianët si gjithçka tjetër përveçse neutrale ose të interesuara për paqen. Për sa i takon Gjeorgjisë, trupat ruse nuk janë ndërmjetësuese, por një palë aktive në konflikt.

Prezenca ruse ka qenë një ushtrim i shtrirë në cinizëm - përderisa forcat e saj të armatosura grimcuan separatizmin në Çeçeni, “paqeruajtësit” e saj kanë përkrahur regjimet separatiste në Osetinë e Jugut dhe Abkhazi. Diplomacia e Moskës ka qenë jo më pak e pandershme. Të gjitha përpjekjet për të arritur një paqe të qëndrueshme në Osetinë e Jugut, duke i ofruar një shkallë autonomie dhe një marrëdhënie federale me qeverinë qendrore të Gjeorgjisë, janë zhvilluar nën patronatin e Komisionit të Përbashkët të Kontrollit (JCC). Kjo trupë, e ngritur në vitet ‘90, përfshin përfaqësues nga Rusia dhe dy të bindurat e saj, Osetia e Veriut dhe Jugut, sikurse edhe Gjeorgjia.

Ka qenë e qartë prej kohësh se JCC, që dominohet nga Rusia, kurrë nuk do të pajtohet për një marrëveshje të paqes të pranueshme deri diku nga Gjeorgjia. Por çështjet si paqja, vendvendosja ose integriteti territorial kurrë nuk kanë qenë problemi i vërtetë për Rusinë në Kaukazin jugor.

Autori është redaktor i çështjeve ndërkombëtare i televizionit France24

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›