Presidenti, Meta: Nesër duhet takim mes Berishës dhe Ramës
Kreu i LSI-së nuk përjashtoi diskutimin e emrave politikë, optimist për zgjedhjen e presidentit të ri në raundin e 4-të
Dy ditë përpara zhvillimit të raundit të katërt për zgjedhjen e Presidentit, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka kërkuar një takim të dytës mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kryesocialistit Edi Rama. Sipas Metës, takimi i dy liderëve duhet bërë për gjetjen e një emri konsensual, në mënyrë që ditën e hënë të zgjidhet kreu i ri i shtetit. Në një prononcim për shtyp, Meta vlerësoi si të rëndësishëm reflektimin e klasës politike në një moment të tillë. Ndërkohë që nuk përjashtoi dhe mundësinë e një kandidature të ardhur nga spektri politik për të qenë president i ardhshëm i vendit. Dua të theksoj si kryetar i LSI-së, domosdoshmërinë për të arritur konsensusin, për të rritur përgjegjshmërinë e gjithë aktorëve për t’u dhënë fund kapriçove për momentin e dytë. Theksoj rëndësinë e një takimi tjetër të një niveli më të lartë Berisha-Rama, në një format që ata ta gjykojnë të arsyeshëm e të pranueshëm deri ditën e nesërme në mënyrë që gjatë 48 orëve të arrijmë një konsensus që nuk do të jetë i lehtë, por jo i pamundur, në mënyrë që ditën e hënë ta përfundojmë çështjen e presidentit të ri, u shpreh Meta, i cili ka rikonfirmuar edhe njëherë zhvillimin e takimeve brenda mazhorancës gjatë fundjavës.
Nuk janë përjashtuar emrat politikë për arsye të paragjykimeve ndaj politikanëve të caktuar, por është bërë përpjekje për emra dhe profile që mund të gjenin më lehtë konsensusin, pasi Shqipëria ka politikanë e politikane që mund ta siguronin konsensusin, por vitet e fundit është bërë e vështirë. Por pse jo dhe politikanë. Gjatë ditës së sotme apo të nesërme do të konsultohemi brenda mazhorancës dhe shpresoj që nesër të realizohet dhe një takim i nivelit më të lartë që të shkohet në zgjidhje konsensuale, deklaroi Meta.
9 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Presidenti, Meta: Nesër duhet takim mes Berishës dhe Ramës burimi: Gazeta Shqip