E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Nishani mesazh urimi për fillimin e vitit të ri shkollor

TIRANE - Presidenti i Republikës, Bujar Nishani përshëndeti fillimin e vitit të ri shkollor. Në një mesazh urimi, të bërë publik nga zyra e shtypit e Presidencës, Nishani u bën thirrje të gjithë fëmijëve që e kanë braktisur shkollën, që t’i rikthehen asaj sa më parë.

“Kam kënaqësinë e veçantë si President i Republikës që me rastin e fillimit të vitit të ri arsimor 2012-2013 t’ju përshëndes e t’ju përcjell urimet më të përzemërta për këtë ditë, që shënon një fillim tjetër të ri në rrugëtimin e shoqërisë shqiptare drejt diturisë dhe ndërtimit të një të ardhmeje të ndritur. Urimi im i parë shkon për ju nxënës, që për herë të parë sot do të uleni në bankat e shkollës për t’u njohur me mësuesen e parë, me bashkëmoshatarët tuaj dhe shokët e klasës. Në mënyrë të veçantë, ju përgëzoj dhe uroj ju nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, sepse jeni në vijim të formimit tuaj arsimor dhe tashmë keni të qartë idenë mbi ecurinë tuaj të mëtejshme në kërkim të dijes e të një profesioni të duhur e të përshtatshëm në të ardhmen. Sot është dita kur ju bëj thirrje të gjithë familjarëve dhe fëmijëve, të cilët me apo pa arsye kanë braktisur shkollën, t’i rikthehen sa më parë asaj.”- thuhet në mesazhin e kreut të shtetit.

Presidenti Nishani përfitoi nga rasti për t’u uruar mirëseardhjen të gjithëve fëmijëve të emigrantëve që janë rikthyer në Shqipëri. Në mesazhin e tij, kreu i shtetit shprehu vlerësim dhe mirënjohje për të gjithë mësuesit.

“Në këtë 100–vjetor të Pavarësisë ky mision i juaji, të dashur mësues, merr një domethënie dhe rëndësi të jashtëzakonshme në ruajtjen e traditës dhe zhvillimit të mëtejshëm cilësor të arsimit shqiptar, sepse mendja e një kombi është arsimimi i tij.”

“Të dashur nxënës dhe mësues, kudo ku jeni, Është detyra jonë e përbashkët zhvillimi progresiv i vendit, përmbushja dhe përballja me sukses e sfidave integruese në familjen e madhe evropiane, ku arsimimi është dhe mbetet një ndër hallkat më të rëndësishme të këtij procesi.”- përfundon mesazhi i Presidentit.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›