Presidenti Nishani takim me zv/Ndihmes Sekretarin e Shtetit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë në sfidat e saj të konsolidimit të institucioneve demokratike dhe integrimin evropian në një partneritet gjithnjë e më të ngushtë. Kjo ishte garancia qw mori Presidenti, Bujar Nishani nga Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Philip T. Reeker. Kwshtu, gjatw takimit me zotin Reeker Presidenti Nishani vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer dhe ndihmën që SHBA-të i kanë dhënë vendit tonë në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike dhe shtetit ligjor, anëtarësimin në NATO dhe procesin e integrimit evropian. Presidenti Nishani e siguroi Zëvendësndihmës/Sekretarin amerikan të Shtetit se zhvillimi i reformave është sfida më e madhe me të cilën përballen institucionet shqiptare, duke nënvizuar se bashkëpunimi i shkëlqyer i institucioneve tona me institucionet dhe agjencitë e SHBA-ve bazuar mbi përvojën e deritashme do të vijojë edhe në të ardhmen. Kryetari i Shtetit e garantoi ambasadorin Reeker se Shqipëria do të vazhdojë politikën e saj të fqinjësisë së mirë dhe qasjen konstruktive ndaj çështjeve që lidhen me shqiptarët jashtë Republikës së Shqipërisë në të mirë të paqes dhe stabilitetit në rajon. Nga ana e tij, ambasadori Reeker vlerësoi qëndrimet e matura të Shqipërisë ndaj zhvillimeve rajonale dhe shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit të saj.