E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE mbeshtet Shqiperine ne marrjen e statusit kandidat

Kryeministri Sali Berisha priti në një takim Eurodeputetin Nikolaus Chountis, anëtar i delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, i cili ndodhet në vendin tonë në kuadër të përgatitjeve të raportit për Parlamentin Evropian, për sa i përket progresit të shënuar dhe hapave të mëtejshëm në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Shefi i qeverisë shqiptare sipas njoftimit për shtyp të kryeministrisë e njohu z. Chountis me zhvillimet e fundit politike në vend, ku u vlerësua realizimi me konsensus i reformës zgjedhore, por edhe i një sërë ligjeve të tjera, të cilat kërkonin votim të cilësuar në parlament. Në këtë kontekst, në takim u theksua rëndësia dhe domosdoshmëria e miratimit edhe të akteve të tjera legjislative që kërkojnë shumicë të cilësuar parlamentare, siç është ai i heqjes së imunitetit dhe çdo ligji tjetër që ka lidhje me ecjen përpara në procesin e anëtarësimit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Nga ana e tij eurodeputeti Chountis i rikonfirmoi Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Parlamentit Evropian në të gjitha përpjekjet që Shqipëria dhe qeveria shqiptare po bëjnë për realizimin e reformave të thella e të gjithanshme, në mënyrë që Shqipëria të marrë sa më shpejtë statusin e vendit kandidat dhe të vijojë me hapat e mëtejshëm drejt integrimit evropian. Në këtë drejtim Kryeministri Berisha i ripohoi z. Chountis angazhimin e tij dhe të qeverisë shqiptare për të marrë çdo masë, çdo reformë, për të miratuar të gjitha aktet e nevojshme, që ky projekt madhor i shqiptarëve të shndërrohet sa më parë në realitet. Eurodeputeti Chountis shfrytëzoi rastin për t’i uruar Kryeministrit Berisha 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, duke uruar njëkohësisht popullin shqiptar që në këtë vit historik, të arrijë të realizojë këtë hap të rëndësishëm në projektin madhor të integrimit evropian, marrjen e statusit të vendit kandidat. Më tej, Kryeministri Berisha, pasi i ripohoi Eurodeputetit Chountis se për qeverinë shqiptare ky proces është dhe mbetet një proces i bazuar tërësisht në performancë dhe meritë, e njohu atë me progresin e arritur nga Shqipëri, në shumë fusha si; reformat ekonomike, thjeshtësimi i procedurave administrative, lufta kundër korrupsionit, reforma në arsim, në shëndetësi, dixhitalizimi i shumë shërbimeve, si One stop Shop për regjistrimin e biznesit, për licencat e lejet, e-taksa, e-dogana, sistemi on-line i gjurmimit të dokumenteve, shtrirja e internetit, lehtësitë e krijuara në thithjen e investimeve, në fushën e turizmit, etj. Gjithashtu, Kryeministri Berisha e njohu Eurodeputetin Chountis me faktin se edhe pse Shqipëria nuk konsiderohet ende një vend i zhvilluar, në shumë aspekte shënon tregues themelorë të njëjtë, ose edhe më të lartë me vendet e zhvilluara si; për sa i përket nivelit shumë të ulët të vdekshmërisë foshnjore dhe vdekshmërisë në përgjithësi, aksesit më të lehtë në shërbimin shëndetësor, etj. Ndërkohë, theksoi Kryeministri, me punën e tyre, shqiptarët kanë tejkaluar tashmë 5 vende të OECD-së për sa i përket numrit të banesave për 1000 banorë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›