Presidenti Nishani vijon konsultimet për datën e zgjedhjeve. PD: Të hapur për diskutime, suksesi në zgjedhjeve s’varet nga data
PS, PR dhe LSI propozojnë datën 23 Qershor për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nisi sot takimet për tu konsultuar lidhur me datën e zgjedhjeve me përfaqësuesit e parlamentare. Ishte kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ai i cili ka nisur ka startuar këto konsultime dhe më pas Presidenti Nishani takoi me kryetarin e Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi.
Mësohet se gjatë takimit mes kreut të ligjvënësve demokratë dhe Presidentit është diskutuar rreth datës për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare. Por, sipas Patozit, PD është e hapur për çdo datë, pasi suksesi i zgjedhjeve s’varet nga data. Ndërkohë që OSBE është kundër datës 30 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të 2013. Mësohet se për datën e zgjedhjeve janë në diskutim datat 23 dhe 30 qershor.
Nga ana e tij kreu i deputetëve të PS-së, Ruçi ka propozuar datën 23 qershor si ditë për zhvillimin e zgjedhjeve të 2013, si dhe ka insistuar që të dekretohet sa më parë data nga ana e kreut te shtetit.
Në orën 12:00 Lefter Koka, kryetar i Grupit Parlamentar të LSI-së është shfaqur në institucionin e Presidencës. Burime pranë takimit konfirmojnë se propozimi i LSI është data 23 qershor, me qellim që të mund të përgatitet infrastruktura zgejdhore.
Më pas, siç njofton zyra e shtypit e Presidentit, nga ora 13:00 deri në orën 15:00 do të zhvillohen takimet me krerët e Partisë Republikane, Bashkimit për të Drejtat e Njeriut dhe me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi.
Gjithashtu dhe kreu i Republikanëve Mediu në takimin me Presidentin Nishani ka kërkuar që data 23 qershor të jetë data në të cilën të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Kodi Zgjedhor parashikon dy periudha për zhvillimin e zgjedhjeve. Ato janë mars-qershor dhe shtator-nëntor. “Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit, brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor, ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor”, thuhet në nenin 8 të Kodit. Ndërsa në pikën 1 të nenit 9 thuhet: "Data e zgjedhjeve për Kuvendin caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës, sipas rregullave të parashikuara në nenin 65 të Kushtetutës.
Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen në një nga dy të dielat e fundit, brenda periudhës zgjedhore të përcaktuar në nenin 8 të këtij Kodi, dhe në çdo rast, jo më vonë se 30 ditë para datës së mbarimit të mandatit të Kuvendit".
Legjislatura aktuale ka nisur më 6 shtator 2009 dhe 6 shtatori 2013 është dita e mbarimit të mandatit të Kuvendit. Në këtë mënyrë, zgjedhjet e ardhshme do të mbahen në periudhën 15 mars-30 qershor. Duke iu referuar dispozitës, sipas së cilës zgjedhjet zhvillohen në dy të dielat e fundit brenda 30 qershorit, dy variantet e vetme janë 23 qershori dhe 30 qershori. Sipas Kodit, kreu i shtetit duhet ta caktojë datën e zgjedhjeve brenda 6 dhjetorit.
Javën e shkuar Nishani takoi anëtarët e rinjtë të KQZ. Kryeministri e siguroi sekretaren Klinton për vullnetin e palëkundur të qeverisë shqiptare që zgjedhjet e vitit 2013 të plotësojnë të gjitha standardet për zgjedhje demokratike”.