E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Nishani, vizitë në SHBA - merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

22-09-2012 / Gazeta 55

Kreu i shtetit do jetë i pranishëm në pritjen e organizuar nga Presidenti amerikan Barak Obama me krerët e shteteve pjesëmarrëse dhe në pritjen e ish-presidentit amerikan Bill Klinton

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani dhe delegacioni zyrtar, u nis dje për në Shtetet e Bashkuara te Amerikës, ku do të marrë pjesë në debatin e përgjithshëm të Sesionit të 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-Moon.
Kryetari i Shtetit shqiptar gjatë kësaj vizite pritet të ketë një sërë takimesh të nivelit të lartë me personalitete botërore, në kuadër të Sesionit të 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me krerë shtetesh të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian e të vendeve aziatike, përfaqësues të organizatave të rëndësishme ndërkombëtare; etj.
Gjithashtu Kreu i Shtetit shqiptar do te zhvilloje disa veprimtari te tjera te rëndësishme në kuadër të kësaj vizite, të parashikuara ne agjende si pjesëmarrje ne takimin e 16-te vjetor te NAAC-ut (Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan), ndërsa në datën 22 shtator 2012, Presidenti Nishani do të zhvillojë një vizitë në Klivlend, Ohajo, ku do të përurohet Kopshti Kulturor “Nënë Tereza”.
Në kuadër të kësaj vizite Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe Zonja e Parë do të jenë të pranishëm në pritjen e organizuar nga Presidenti amerikan Barak Obama me krerët e shteteve pjesëmarrëse në Sesionin e 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe në pritjen e ish-presidentit amerikan Bill Klinton.
Gjatë qëndrimit në Nju-Jork dhe pjesëmarrjes në punimet e sesionit të 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani pritet te zhvilloje edhe takime dypalëshe me krerë shtetesh dhe qeverish të vendeve të Bashkimit Evropian dhe nga bota, ku qëllimi i këtyre bisedimeve dypalëshe është lobimi për çështjen e Kosovës dhe për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat.
Ditën e enjte, më 26 shtator, Kreu i Shtetit shqiptar, Bujar Nishani do t’i drejtohet me një fjalim Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ndërsa një tjetër etapë e rëndësishme e kësaj vizite është edhe pjesëmarrja e Presidentit Nishani në Takimin e Nivelit të Lartë për Shtetin Ligjor që do të mbahet në OKB, ditën e hënë me 24 shtator 2012.
Vizita zyrtare e Presidentit Nishani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përfshijë edhe takime me bashkëkombësit e shumtë që jetojnë e punojnë atje si dhe me shoqatën atdhetare “Vatra”, ku do të jetë i pranishëm gjithashtu edhe delegacioni i Republikës së Kosovës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›