Rama urdhëroi deputetët të largoheshin kur po diskutohej ligji për Gjykatën e Lartë
Mazhoranca reagon pas braktisjes së komisionit të ligjeve nga deputetët e PS: “Po bllokojnë integrimin e vendit”
Partia Demokratike reagoi dje ndaj bojkotimit të opozitës në mbledhjen e fundit të komisionit parlamentar të ligjeve ku do të shqyrtohej ligji për gjykatën e Lartë, i propozuar nga deputetët e Partisë Socialiste dhe një nga prioritetet kyçe të kërkuara nga KE.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD, Silvi Bardhi akuzoi kreun e opozitës Edi Rama se urdhëroi përfaqësuesit e grupit parlamentar të Partisë Socialiste të largoheshin për vakanca e të mos merrnin pjesë në shqyrtimin amendimeve të ligjit për Gjykatën e Lartë, duke bllokuar në këtë mënyrë integrimin e vendit. “Miratimi i këtyre amendimeve të ligjit për Gjykatën e Lartë është një nga kërkesat e drejta të Brukselit për Shqipërinë. Me këtë rast sqarojmë qytetarët se, amendimet e ligjit të Gjykatës së Larte u propozuan nga vetë deputetët e Partisë Socialiste gjatë shqyrtimit dhe miratimit të ligjit të Gjykatës Administrative, votimin e së cilit z. Rama e bllokoi në Parlament për rreth dy vjet. Ky bllokim i radhës i z. Rama i ligjeve me tre të pestat që kërkohen nga Brukseli për marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë pas votimit konsensual të amendamenteve kushtetuese për kufizimin e imunitetit, tregon se kryetari i Partisë Socialiste është penduar thellë që lejoi deputetët e tij të votonin kufizimin e imunitetit të cilin Partia Socialiste e kishte bllokuar 10 vite me radhë për interesa personale të deputetëve të saj miliarderë”, u shpreh zëdhënësja e PD.
Sipas saj, me urdhrin e tij të djeshëm për largimin e deputetëve socialistë nga shqyrtimi i amendamenteve të ligjit për Gjykatën Kushtetuese z. Rama fakton se alternativa e tij e vetme është Blloku dhe bllokimi i çdo hapi që afron shqiptarët me Bashkimin Evropian.
“Me këtë akt ai dëshmoi se në rast se u detyrua nën presionin e fortë të socialistëve të thjeshtë të votonte zhveshjen nga imuniteti të deputetëve socialistë miliarderë, ai mbetet i vendosur të përdorë verbërisht dhe në kundërshtim me interesat jetike të çdo qytetari shqiptar pushtetin që i kanë dhënë zgjedhësit e tij, për të bllokuar rrugën e shqiptarëve drejt Bashkimit Evropian”, theksoi Bardhi, e cila shtoi se Kryetari i Partisë Socialiste politikën bllokatore në votimin e ligjeve me tre të pestat e konsideron si levën më kryesore për dëmtimin e qeverisë, ndonëse në të vërtetë ai shkelmon para së gjithash interesat e qytetarëve shqiptarë dhe të Shqipërisë.
“Ai beson verbërisht se për bllokimin e votimit të ligjeve me tre te pestat në Parlament zgjedhësit shqiptare do të bëjnë përgjegjës jo Partinë Socialiste që nuk voton këto ligje madje edhe kur ajo i propozon vetë, por shumicën qeverisëse që është e gatshme t’i votojë ato në çdo kohë. Z.Rama beson se me bllokimin e reformave që kërkojnë tre të pestat në Parlament do të ulet më shpejt në karrigen e amshuar të pushtetit”, vijoi zëdhënësja e PD.
Gjithashtu në deklaratën e PD citohet se me këtë qëndrim Rama nga njëra anë dëshmon se për karrigen dhe pushtetin e tij personal është i gatshëm të dhunojë edhe ëndrrën më të bukur të rinisë dhe mbarë shqiptarëve dhe nga ana tjetër tregon se e ka lexuar së prapthi leksionin e zgjedhjeve lokale të vitit që shkoi në të cilat ai personalisht dhe politika bllokuese e tij, përjetuan disfatën më të thellë dhe të hidhur të jetës së tij politike.
Partia Demokratike i bën thirrje z. Rama të vendosë interesat jetike evropiane të të rinjve shqiptarë mbi interesat e ngushta të pushtetit të tij personal dhe të lejojë deputetët e tij të votojnë në Parlament ligjet dhe reformat e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.