Ndoka: Në zgjedhjet e 2013-s, në koalicion me PD
Kryesia e PDK, vendim për bashkëpunim me Partinë Demokratike
PDK shkëputet përfundimisht nga koalicioni me Partinë Socialiste dhe i bashkohet koalicionit të Partisë Demokratike. Vendimi u mor dje në mesditë nga kryesia e kësaj force politike. Pas vendimit të kryesisë së PDK do të caktohet dhe një datë për të nënshkruar marrëveshjen me drejtuesit e PD-së, ku do të diskutohen dhe kushtet e bashkëpunimit të ardhshëm. Bashkëpunimin me PD-në, PDK e sheh të natyrshëm, pasi është një parti e qendrës së djathtë dhe e sheh veten në qeverisje me të në zgjedhjet e 2013. Kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka, deklaron se forca politike që drejton iu largua koalicionit opozitar për disa arsye, ku kryesorja mbetet mosrespektimi nga ana e lidershipit të Partisë Socialiste të marrëveshjes politike. Për Ndokën, lidershipi socialist ka treguar se gjatë aksioneve të saj politike ka qenë tërësisht e ç’orientuar dhe pa një bosht politik. Afrimi i Partisë Demokristiane me koalicionit qeverisës, për kryedemokristianin Ndoka, ka disa arsye. Këto dy forca politike janë parti të qendrës së djathtë, por mbi të gjitha baza e fortë për bashkëpunimin mbetet përgjegjshmëria, që sipas Ndokës PD-ë tregon ndaj aleatëve të saj. Marrëveshja e bashkëpunimit mes Partisë Demokratistiane dhe Partisë Demokratike, pritët të nënshkruhet ditët e para të javës së ardhshme. Veç kësaj PDK është përfshirë dhe në një fazë tjetër zgjerimi brenda saj. Pak ditë me parë kreu i saj Nard Ndoka zhvilloi një takim me kreun e Lëvizjes demokristiane Nikolle Lesi. Në prononcimin e dhënë për mediat dy kryetarët deklaruan se në këtë takim është diskutuar dhe mundësia e bashkimit të dy forcave në një të vetme, çka e rrit dhe me tepër peshën elektorale të tyre.