Presidenti Obama: Ka shenja se ekonomia amerikane po përmirësohet
Presidenti Obama thotë se në vend po shihen shenjat e para të rimëkëmbjes ekonomike. Por, ai po kështu paralajmëroi se proçesi vetëm ka nisur dhe se situata do të vazhdojë të jetë e vështirë.
Ndërsa administrata Obama po i afrohet 100 ditëve në detyrë, Presidenti foli para amerikanëve duke bërë një vlerësim të ekonomisë amerikane. Ai tha se masat e marra nga administrata e tij në muajt e para po sjellin rezultate. Por, Presidenti pranoi se 2009 do të jetë një vit i vështirë.
"Padyshim situata është e vështirë. Nuk e kemi kaluar ende pjesën më të vështirë. Por kemi nisur të shohim rreze shprese”.
Duke folur në universitetin "Georgetown"në Uashington, Presidenti foli me nota optimiste, por edhe realiste mbi gjendjen e ekonomisë. Ai foli me detaje mbi masat e marra për nxitjen e ekonomisë, shtimin e kredive në treg si dhe rregullimin e sistemit financiar.
"Të gjitha këto masa, Akti i Rimëkëmbjes, kapitalizimi bankave, plani për kreditë e shtëpive, forcimi i tregjeve jobankare të kreditimit, plani për industrinë e automjeteve si dhe vendimet gjatë takimit të G20-shes, do të jenë të nevojshme për rimëkëmbjen ekonomike”.
Presidenti vuri theksin mbi bazat e ekonomisë amerikane duke thënë se baza e re e ekonomisë duhet të jetë e fortë.
Presidenti Obama tha se vendosja e një baze më të fortë do të kërkojë rregulla të reja për funksionimin e Uoll Stritit si dhe investime të reja në fushat e arsimit, energjisë ambjentaliste dhe përkujdesja shëndetësore.
Kritikët thonë se Presidenti po ndërmerr tepër shpenzime në këto kohë të vështira ekonomike. Ai tha se ky këndvështrim është i ngushtë, pasi, siç tha ai, "vendi ka nevojë për dëshirën e mirë politike për të marrë vendime të vështira”.
"Duhet të qeverisim në kohë të vështira. Dhe kjo kërkon një ndjenjë përgjegjësie për veten, për votuesit tanë si dhe për brezat e ardhshëm jetët e të cilëve do të preken për mirë ose për keq nga vendimet tona”.
Ndërkaq, shefi i Bankës Qendrore amerikane përsëriti disa nga komentet e zotit Obama gjatë një fjalimi të mbajtur dje. Zoti Ben Bernanki tha se ka pasur shenja se rënia e fuqishme e aktiviteteve ekonomike mund të jetë duke u ngadalësuar.
Por, ai po kështu vuri në dukje faktin se një rimëkëmbje e qëndrueshme do të varet nga aftësia për të stabilizuar tregjet finaciare dhe për rritjen e kredisë në treg. //ek