IDRA, partneri shqiptar i “Zogby”-t, i përzgjedhur nga vetë Edi Rama

Sondazhi që nxjerr fitues PS-në, i financuar nga bashkia e Tiranës. Rrënohet besueshmëria e parashikimeve
TIRANE – Partneri i “Zogby”-t, kompanisë ndërkombëtare që zhvillon një sondazh të përmuajshëm parazgjedhor në Shqipëri, është një OJF, që financohet dhe i bën edhe “lustrën” bashkisë së Tiranës. Me gjithë përpjekjen për mungesë transparencë dhe për të mbajtur të fshehtë “partnerin” e Zogby-t në Shqipëri, mësohet se sondazhi, rezultatet e të cilit prej tre muajsh janë fotokopje të njëra-tjetrës, për çdo herë që janë publikuar, është IDRA “Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi” (“Institute for Development Research and Alternatives”), me seli në Tiranë.
Partneritetin e tyre, “Zogby” dhe IDRA, megjithëse në kushtet e mungesë së plotë të transparencës, nuk e kanë bërë asnjëherë publike, pa dashje, ato e kanë pranuar indirekt reciprocikisht, kur në web-site-t e tyre zyrtare, ndajnë koncepte e mendime të njëjta për “intervistuesit”, e thënë ndryshe, realizuesit e sondazheve. “Këta intervistues janë përzgjedhur si më të mirët pas një numri trajnimesh dhe përvoje pune në terren”, ka publikuar “konsideratën” e saj IDRA, në adresën e internetit: http://www.idra-al.com/al/research_resources_al.php.
“Të gjithë intervistuesit e terrenit janë profesionistë të trajnuar dhe janë të supervizuar nga koordinatorët e terrenit”, është “konsiderata”, e njëjtë me atë të IDRA-s, që këtë herë “Zogby”, ka të publikuar në adresën e tij të internetit:
http://www.zogby.com/news/Albania%20Election%20Poll%20Methodlogy.pdf
IDRA, kjo OJF, që drejtohet nga Auron Pashaj, në shërbimet që ofron, në website-n e saj zyrtar, bënë të ditur se është e specializuar edhe për “Vrojtime të Opinioneve” dhe konkretisht “Vrojtime Elektorale”.
Nga ana tjetër, në të njëjtin vend, website-n e saj zyrtar, mësohet se IDRA, prej disa vjetësh është partnere e Edi Ramës, për llogari të të cilit organizon “Transparencën e Bashkisë”. Kjo gjë reciprocikisht konfirmohet edhe në website-n zyrtar të bashkisë së Tiranës, ku gjen informacionet dhe raportet e përvitshme për “Transparencën e Bashkisë” të kryer nga IDRA.
Një bashkëpunim i tillë “i certifikuar” prej vitesh, midis IDRA-s dhe Bashkisë së Tiranës, ka kulmuar sërish, në një fushë tjetër, atë të sondazheve elektorale, organizimi i të cilëve, jo aq për t’u çuditur, nxjerr si fitues PS-në e drejtuar nga Edi Rama.
Burime nga PS-ja bënë të ditur se kjo “njohje e vjetër” e Edi Ramës me Auron Pashajn, ka mundësuar që kreu i IDRA-s të “meritojë” besimin e kryesocialistit kryebashkiak të Tiranës për organizimin e sondazhit të përmuajshme i cili sigurisht nuk i ka se si të mos nxjerrë fitues, “donatorin” e IDRA-s, Edi Ramën, kreun e PS-ës dhe të bashksië së Tiranës.