Shfaqen krisjet e para në oborrin e Edvinit, Andis Harasani bën sherr pse u zëvendësua me ylberistët e rinj

Sekretari për Programin Politik në PS nuk e fsheh zemërimin e mungesës në prezantimin e programit elektoral
TIRANE - Shtohen përplasjet mes kryesocialistit Edi Rama dhe “xhaketave të vjetra” në selinë rozë. Pas ftohjes me ish-numrin dy të PS-së, Pandeli Majko për shkak të deklaratave të këtij të fundit ku njihte meritën historike të PD-së për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, kreu i PS-ës Edi Rama ka debatuar dje ashpër me deputetin Andis Harasani.
Ndonëse ish-drejtori i përgjithshëm i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare ishte emëruar para disa kohësh në funksionin e Sekretarit për Programin Politik, u shmang tërësisht në daljen publike të ditës së hënë kur Rama u dha meritat e hartimit të programit politik Ylli Manjanit, Ledi Shamkut, Ervin Bushatit dhe Ilir Beqjas.
Kaq ka mjaftuar që Harasani të kuptojë se është përdorur në këtë mesele si një garniturë e një “projekti të përbashkët ku ndërthuren e reja dhe e vjetra në PS”. Tonet më të cilat ai i ka kërkuar shpjegime kryesocialistit Edi Rama kanë qenë mjaft të ashpra.
Tejet i fyer nga një gjest i tillë që është gjykuar jo i paqëllimtë nga ana e kreut të PS-së, Harasani ka deklaruar se nuk do të lejojë më që Rama ta keqpërdorë duke e yshtur sikurse bën me Erjon Braçen apo Taulant Ballën, që të stisë akuza të paqena ndaj qeverisë aktuale.
Mes sherrit në ambientet e selisë së PS-ës, Andis Harasani mes kërcënimit i ka bërë të ditur Edi Ramës, se nuk do të dalë më para mediave për të mbrojtur programin apo politika e PS-ës, duke i lënë të kuptojë kryesocialistit se tani e tutje këtë ta bëjë me “të zgjedhurit” e dy ditëve më parë Ylli Manjanin, Ledi Shamku, Ervin Bushatit dhe Ilir Beqjan.
Problemet e brendshme të PS-ës, prej kohësh kanë degjeneruar në sherre banale mes “të rinjve” dhe “të vjetërve” në këtë parti. Ndërsa në Mallakastër Kastriot Islami dhe Pajtim Lutaj e shohin njëri-tjetrin vëngër, në Berat Erjon Braçe ndjehet i “lënë mënjanë”, përballë zgjedhjes së Erjon Veliajt, si “i përkëdheluri” i Edi Ramës. Sherri në Korçë, mes Ben Blushit dhe Pandeli Majkos, ishte zanafilla e kryqëzimit të ish-kryeministrit, i cili pas deklaratave “pro qeverisë” për NATO-n, duket se as Kukësin nuk e ka si qark të sigurt për një kandidim të mundshëm për deputet.