Edi Rama harron të prezantojë maodecunidenë elektorale, nuk u përputhen numrat e premtimeve
Kryesocialisti premton nga një program elektoral për çdo ditë, deri në zgjedhje
Edi Rama ka hequr dorë dje nga prezantimi i premtuar i “Programit të ri qeverisës të Partisë Socialiste”, me të cilin ai bashkë edhe me “1000 faqe”, “7 drejtimet themelore” dhe “100 masa”, do të fillonte të çudiste të madh e të vogël në Shqipëri. Në fakt, Rama i çuditi dje të gjithë, por jo me prezantimin e “Programit të ri qeverisës të Partisë Socialiste”, por me mosprezantimin e tij.
Ndokush, që ka ndjekur lajmet për turin e Edi Ramës dje në Laç mund të ngatërrohet nga ngatërresat e spikerëve, për atë që kreu i PS-së, filloi dje prezantimin e “Programit të ri qeverisës të Partisë Socialiste” me “politikat sociale”, duke u fokusuar “te mbrojtja sociale dhe kujdesi social”, saktësisht te “varfëria”.
E gjithë kjo retorikë e Edi Ramës dje në Laç, mund të jetë pjesë e ndonjë “programi tjetër” të PS-së, por kurrsesi ai nuk është pjesë e “Programit të ri qeverisës të Partisë Socialiste”, me “1000 faqe”, “7 drejtimet themelore” dhe “100 masa” të premtuara se do të fillonte ta prezantonte dje.
Po t’i kthehemi deklarimit të Edi Ramës jo më larg se pardje, kur ai i gjendur në mes të Ylli Manjanit, Ilir Beqjas, Ledi Shamkut dhe Ervin Bushatit, prezantoi jo pa pompozitet “7 drejtimet themelore”, kuptojmë se midis deklarimeve të kryesocialistit, se, “Në ditët në vijim, do të kemi kohë dhe hapësirë për të shtjelluar pjesët më të rëndësishme dhe detajet më thelbësore të programit, por sot mund të themi se përmes këtij programi do të vëmë në jetë: Një politikë të re për arsimin, si garanci për integrim e punësim; Një politikë të re për nxitjen e prodhimit vendas, si garanci për zhvillim e punësim; Një politikë të re për fshatin, si garanci për sovranitetin ushqimor të vendit e punësim; Një politikë të re për shëndetin, si garanci për cilësi jete e aftësi për punë; Një politikë të re për mjedisin, si garanci për mbrojtjen e pasurive të përbashkëta e zhvillimin afatgjatë të vendit; Një politikë të re për turizmin në Shqipëri, si garanci për rritjen e të ardhurave e punësimin; Një politikë të re për kohezionin social e territorial të vendit, si garanci për mundësi të barabarta për të gjithë e zhvillim të harmonizuar mes të gjitha rajoneve të vendit”, askund nuk paralajmërohet për “politikat sociale”, “mbrojtjen sociale dhe kujdesin social”, apo edhe “varfërinë”, që dje Edi Rama, pretendoi se prezantoi si pjesë të “Programit të ri qeverisës të Partisë Socialiste”.
Krahasuar me “7 drejtimet themelore” që Edi Rama paralajmëroi dy ditë më parë, ajo e djeshmja në Laç, ose ishte “drejtimi i 8 themelor”, i “Programit të ri qeverisës të Partisë Socialiste”, ose, ose, ishte “drejtimi i parë themelor”, i programit të radhës që Edi Rama e ka në mendjen e tij, por që ende nuk e ka hedhur në “1000 faqe” të tjera, bashkë edhe me “100 masat” e mundshme.
Me këtë logjikë, Edi Rama ka gjasa që deri ditën e fundit të fushatës elektorale, të premten në 26 qershor 2009, të na servirë për çdo ditë nga një “program” të PS-ës. Brenda kësaj logjike, bashkë me 73 programet e pritshëm (kaq ditë kanë ngelur deri në zgjedhje)”, shtuar edhe 2 programet e deritanishme (gjithsej 75 programe), të konvertuara në “1000-faqesha”, në “100-ndeshe masash”, apo edhe në “7-she drejtime themelore”, Edi Rama, është i denjë për të hyrë në librin e rekordeve “Guinness”, me “75 programe elektorale” për një parti të vetme gjatë një fushate të vetme elektorale, “75000 faqe”, “7500 masa” dhe “525 drejtime themelore”.
Por, më tepër se zelli dhe koha që Edi Rama ka për të bërë nga një program për çdo ditë, ai problemin e ka më tepër me ata që do të duhet të kënaqë me këto programe. Këta të pakënaqurit që Rama duhet të kënaqë, janë jo vetëm anëtarët e kryesisë që ai i injoroi dhe nuk i llogariti dy ditë ma parë, por janë edhe sekretarët, reaksioni i të cilëve u ngjall dje nga Andi Harasani, ndërsa deri tani, ka mundur ta fillojë “të kënaqurit”, nga poshtë, nga nënsekretarët. Për aq kohë, sa Edi Rama, e ka problem “ruajtjen e këtyre balancave”, ai ka llogaritur zgjedhjen tjetër, atë të prezantimit çdo ditë të nga një programi, i gjendur për çdo herë mes “të pakënaqurve” të radhës, kandidatë për “t’u kënaqur”.