Presidenti Obama dëshiron "një fillim të ri" në marrëdhëniet SHBA-Iran
Presidenti Barak Obama, po u premton udhëheqësve të Iranit një fillim të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Zoti Obama thotë se Irani duhet të zgjedhë tani mes kërcënimeve dhe angazhimit. TEXT: Me rastin e Vitit të Ri persian, Presidenti Obama foli për një fillim të ri dhe premtoi hapjen e një faqeje të re në marrëdhëniet Amerikë-Iran.
"Premtimi i mundësive për fëmijët tanë, siguria për familjet tona, progresi i komuniteteve tona dhe paqa mes vendeve”.
Në një mesazh të regjistruar, ai iu drejtua jo vetëm popullit të Iranit, por edhe udhëheqësve të tij. "Ne kemi divergjenca serioze që janë shtuar me kalimin e kohës. Administrata ime është tani e angazhuar për një diplomaci që trajton një sërë çështjes mes nesh, dhe për lidhje konstruktive mes Shteteve të Bashkuara, Iranit dhe komunitetit ndërkombëtar”. Por ai tha se përpjekjet nuk mund të jenë të njëanëshme dhe theksoi se udhëheqësit e Iranit mund të bëjnë zgjedhjen. "Ky proces nuk mund të çohet përpara me kërcënime. Ne kërkojmë në vend të tyre një angazhim të ndershëm, të mbështetur në respektin reciprok”. Komentet e Presidentit Obama tërhiqnin sidomos vemendjen për tonin e tyre jo të ashpër dhe përqendroheshin tek e ardhmja.
Ato ishin në kontrast me komentet e bëra nga paraardhëri i tij, Xhorxh Bush, i cili refuzoi kontaktet me udhëheqësit iranianë dhe e kategorizoi Iranin se pjesë e "boshtit të së keqes”. "Kjo është një periudhë e vështirë për popullin iranian, por nuk duhet të jetë kështu”. Në mesazhin e tij me rastin e Nevruzit, Presidenti Obama nuk i përmendi me radhë të gjitha mosmarrëveshjet me Iranin.
Ai vuri në dukje se ato nuk janë të lehta për t'u zgjidhur, po tha se mund të zgjidhen. "Le të kujtojmë fjalët e poetit Saadi, të thëna shumë vjet më parë: ‘Fëmijët e Adamit janë gjymtyrë të njeri tjetrit, pasi janë krijuar nga një gjak”. Presidenti Obama tha se popujt e Iranit dhe të Shteteve të Bashkuara kanë shpresa dhe ëndërra të përbashkëta.//rd//