E Diel, 1 Nëntor 2026

"Gërdeci", veprimtaria kriminale e Mediut, 30 mln euro

Në 167 faqet e kërkesës për gjykim të dosjes “Gërdeci”, që pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Lartë, vartësit e Ina Ramës kanë renditur prova dhe fakte që flasin kundra ish ministrit Mediu e 28 të pandehurve. 

TIRANE- . “Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë kërkesën për gykim ku shpjegohet me detaje mekanizmi i çmontimit të municioneve në Gërdec, që u shndërrua në një tragjedi të vërtetë njerëzore.
Nga, hetimet e këtij procedimi penal kanë provuar se të pandehurit, Ylli Pinari, Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli dhe Sokol Ngjeci, kanë organizuar dhe realizuar procesin e çmontim-çmilitarizimit të municioneve, pa pasur akt apo rregullore për procedurat standarde të sigurisë, rregullore të mbrojtjes kundër zjarrit, rregulloren për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punonjësve e më gjerë, si dhe në mungesë të standardeve minimale të sigurisë, duke bërë që ky proces të jetë kaotik dhe jashtë çdo standardi sigurie.
Të pandehurit, me dashje dhe në bashkëpunim kanë organizuar dhe realizuar furnizimin dhe administrimin me municione luftarake të kalibrave 7.62 mm dhe 152 mm dhe kanë organizuar realizimin e procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të tyre, duke shpërfillur në mënyrë të hapur standardet minimale të sigurisë në këtë fushë.
Me dashje dhe jashtë çdo standardi në raport me këtë aktivitet, kanë punësuar punonjës të pakualifikuar, deri të mitur, duke shpërfillur në mënyrë të dukshme natyrën e shtuar të rrezikut të municioneve dhe nënprodukteve të dala nga çmontimi në këtë aktivitet të kryer nga këta punonjës.
“Me dashje, në bashkëpunim në ambientete ish-brigadës së tankeve, në Gërdec, në datën 15.03.2007, kanë grumbulluar magazinuar, municione dhe nënprodukte të lëndës plasëse dhe djegëse, burime me rrezikshmëri të lartë, të shtuar për sigurinë në këtë rajon në lloje, dhe sasi/peshë si; predha 4365.335 ton me mbushje TNT në peshë 795.609 ton, barut me peshë 1067.855 ton, djegore të tipave të ndryshme të municioneve/shtimjeve, në sasi 286.476 copë” shkruhet në kërkesën për gjykim. Në analizë të këtyre fakteve, prokuroria beson se ka të dhëna të mjaftueshme se të pandehurit me dashje, kanë organizuar dhe realizuar procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve, duke shpërfillur çdo rregull e standard sigurie; natyrën e burimit të rrezikut, veçanërisht të shtuar që përbënte zhvillimi i këtij procesi; me arrogancë, paralajmërimet e disa punonjësve të ndërmarrjes MEICO dhe të shoqërisë ‘Albademil’ shpk, që Mihal Delijorgji përfaqësonte, për rrezikun real të pranishëm që përbënte realizimi i këtij procesi në mungesë totale të kushteve të sigurisë.
5.829 personave- thuhet në kërkesën për gjykim u është shkaktuar dëm material në vlerë 2.141 343 161 lekë nga vepra penale e shkatërrimit të pronës me eksploziv, që përfaqësojnë shkatërrime dhe dëmtime, banesa, biznese, orendi të tyre, ferma bujqësore.
Shtetit i është shkaktuar dëm material në vlerë 102.500.000 lekë nga vepra penale e shkatërrimit të pronës me eksploziv, që përfshin shkatërrimin dhe dëmtimin e objekteve sociale, shkollave, zyrave dhe orendive të tyre.
Shtetit i është shkaktuar dëm material në vlerë 1.323.600.354 lekë për veprat penale të shpërdorimit të detyrës, që përfaqësojnë pasuri në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura.
(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›