Presidenti Obama fillon turneun e tij europian

Presidenti Barak Obama fillon më 23 maj një vizitë 6 ditore në Europë. Presidenti do të bisedojë me udhëheqësit europianë rreth përmirësimit të ekonomisë botërore dhe sigurisë rajonale, sikurse dhe për marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe.
Pas një jave të përqëndruar në trazirat e Lindjes së Mesme, Presidenti Obama do të kthejë vëmendjen tek Europa dhe shqetësimet e saj, kryesisht në situatën e ekonomisë globale.
Presidenti do ta nisë vizitën e tij nga Irlanda, ekonomia e së cilës, e quajtur dikur “tigri “ i Europës, tani është përfshirë nga kriza e borxhit.
Në Irlandë, Obama do të kombinojë punën me kënaqësinë, duke vizituar një fshat të vogël ku kanë jetuar disa prej paraardhësve të tij.
Më pas, presidenti do të kalojë dy ditë në Londër për një vizitë zyrtare. Ai dhe zonja Obama do të qëndrojnë në Pallatin Bakingem, ku Mbretëresha Elizabet do të shtrojë një banket shtetëror për nder të tyre.
Në Londër, zoti Obama do të flasë në të dyja dhomat e parlamentit britanik, dhe do të zhvillojë bisedime me kryeministrin Dejvid Kameron rreth ekonomisë, sigurisë dhe çështjeve të tjera.
Presidenti do të shkojë në Normandi, Francë dhe qytetin turistik të Deauvillit, ku grupi i 8 vendeve më të industrializuara do të zhvillojë takimin e përvitshëm të nivelit të lartë.
Krerët e G-8, do të mbulojnë një numër çështjesh, mes tyre çështje të shëndetit global, sigurisë së ushqimit dhe kontrollit të armëve.
Obama do të përmbyllë udhëtimin e tij me një vizitë të paralajmëruar prej kohësh në Poloni. Presidenti kishte planifikuar që të vizitonte Poloninë vitin e kaluar, për të marë pjesë në ceremoninë e varrimit të presidentit Leh Kazinski dhe zyrtarëve të tjerë që u vranë nga përplasja e avionit me të cilin udhëtonin. Por vizita u anulua si pasojë e resë së madhe të tymit, të shkaktuar nga shpërthimi i një vullkani në Islandë.
Gjatë vizitës së tij në Poloni, zoti Obama dhe presidenti Bronislav Komorovski pritet të nënshkruajnë një marrëveshje për të dislokuar avionë luftarakë amerikanë F-16 në Poloni, propozim i cili ka zemëruar Rusinë.