E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Obama nuk do të lejoj një Iran nuklear

Presidenti amerikan Barack Obama gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së u bëri thirrje liderëve botërorë që të ballafaqohen me shkaqet e trazirave të fundit në botën myslimane. Ai tha se dhjetëra njerëz janë vrarë gjatë protestave anti-amerikane, për shkak të një filmi në internet të prodhuar në Shtetet e Bashkuara, i cili tallet me profetin Muhamed. Sa i përket pjesës së fjalimit për Iranin, Obama theksoi se Qeveria iraniane vazhdon të lindë terroristë dhe të mbështes terroristët, por sipas tij, SHBA-ja nuk do të lejoj që Irani të rrezikojë sigurinë në rajon dhe më gjerë me prodhime nukleare.

Më tutje, në fjalimin e tij të sotëm në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti Barack Obama konstatoi se dhuna gjatë dy javëve të kaluara nuk është thjesht një sulm ndaj Amerikës, por, po ashtu, një sulm kundër idealeve mbi të cilat janë themeluar Kombet e Bashkuara.

“Sulmi ndaj një ambasade nuk krijon asnjë vend pune. Kjo politikë e bën edhe më të vështirë arritjen e asaj që së bashku duhet ta bëjmë; edukimin e fëmijëve tanë, edhe ata që meritojnë. Duhet të kuptojmë që Amerika nuk tërhiqet nga bota. Ne ofrojmë drejtësi për ata njerëz, edhe ndaj atyre njerëzve që na dëmtojnë neve. Ne jemi partnerë me gjithë botën për të avancuar botën dhe gjitha përpjekjet që avancojmë rritje ekonomike për gjithë ne, dhe të stabilizohen ndryshimet demokratike. Asnjë qeveri, asnjë kompani, asnjë shkollë apo OJQ, nuk mund të punoj me një vend, ku njerëzit janë të rrezikuar, qytetarët tanë duhet të jenë të sigurt dhe përpjekjet tona duhet të jetë të mirëpritura.

Në pjesën e fjalimit për Iranin, zoti Obama ka theksuar përsëri vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për ta ndalur Iranin nga prodhimet nukleare.

“Në Iran ne e shohim rrugën e ideologjisë. Iranianët kanë një histori të shkëlqyeshme, të mrekullueshme. Shumë iranianë dëshirojnë të kenë paqe me fqinjët e vet. Por qeveria iraniane vazhdon të lindë terrorist dhe të mbështes terroristët. Respektojmë që të ketë pushtet nuklear, por qëllimet e OKB-së, është që të shohin siguri që kjo energji përdoret për qëllime paqësore. Irani nuk mund të kërcënoj sigurinë e Izraelit e kështu me radhë”, tha Obama.

Ai theksoi se për Iranin koha nuk është e pakufizuar për zgjidhje diplomatike.

Ndër të tjera, presidenti Obama tha se “e ardhmja nuk është e atyre që ofendojnë profetin Muhamed. Tani është koha të marrim fjalën e Gandit, mostoleranca është vetë forcë e dhunës dhe pengesë e demokracisë. Së bashku duhet punuar ku përforcohemi e jo të definohemi, ky është vizioni që ne do të mbështesim”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›