Presidenti Obama së shpejti nis turin e tij evropian

Mbas një jave të përqëndruar në trazirat e Lindjes së Mesme, Presidenti Obama do të kthejë vëmendjen tek Europa dhe shqetësimet e saj, kryesisht në situatën e ekonomisë globale.
Presidenti do të nisë vizitën e tij nga Irlanda, ekonomia e së cilës, e quajtur dikur “tigri “ i Europës, tani është përfshirë nga kriza e borxhit.
Obama do të kombinojë punën me kënaqësinë në Irlandë, duke vizituar një fshat të vogël ku kanë jetuar disa prej paraardhësve të tij.
“Pres të shkoj jo vetëm në të gjitha vendet më të famshme, por do të shkoj dhe në Moneygall, andej nga janë rrënjët e katragjyshërve të mi” ka theksuar Obama.
Rreth 37 milionë amerikanë deklarojnë prejardhjen e tyre nga Irlanda, dhe Obama thotë se dy vendet ndajnë një lidhje familjare të ngushtë.
Më pas, presidenti do të kalojë dy ditë në Londër për një vizitë zyrtare. Ai dhe zonja Obama do të qëndrojnë në Pallatin Bukingham, ku Mbretëresha Elizabeth do të shtrojë një banket shtetëror për nder të tyre.
Në Londër, Obama do të flasë në të dyja dhomat e parlamentit britanik, dhe do të zhvillojë bisedime me kryeministrin Deivid Kamerun rreth ekonomisë, sigurisë dhe çështjeve të tjera.
Presidenti do të shkojë në Normandi, Francë dhe qytetin turistik të Deauvillit, ku grupi i 8 vendeve më të industrializuara do të zhvillojë takimin e përvitshëm të nivelit të lartë.
Krerët e G8, do të mbulojnë një numër çështjesh, mes tyre çështje të shëndetit global, sigurisë së ushqimit dhe kontrollit të armëve.
Presidenti Obama do të përmbyllë udhëtimin e tij me një vizitë të paralajmëruar prej kohësh në Poloni. Presidenti kishte planifikuar që të vizitonte Poloninë vitin e kaluar, për të marë pjesë në ceremoninë e varrimit të presidentit Leh Kazinski dhe zyrtarëve të tjerë që u vranë si pasojë e përplasjees së avionit me të cilin udhëtonin. Por udhëtimi u anullua si pasojë e resë së madhe të tymit, të shkaktuar nga shpërthimi i një vullkani në Islandë.
Gjatë vizitës së tij në Poloni, zoti Obama dhe presidenti Bronislav Komorovski pritet që të nënshkruajnë një marrëveshje për të vendosur avionë luftarakë amerikanë F-16 në Poloni, propozim i cili ka zemëruar Rusinë.