“Presidenti”, PS kërkon vijimin e negociatave. Mazhoranca: Rama të bëjë propozimin e tij, ose të pranojë emrin e shumicës

Partia Socialiste kërkon vijimin e negociatave me mazhorancën për gjetjen e një kandidature sa më konsensuale për postin e Presidentit të Republikës, mundësisht për raundin e tretë të votimit. Kjo është theksuar gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të kësaj force politike. Mbledhja që u drejtua nga kryetari Edi Rama, zhvilluar me dyer të mbyllura e që zgjati për rreth 30 minuta, u raportua mbi ecurinë e negociatave të deri tanishme me mazhorancën në funksion të zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Mësohet se ka qenë kreu i grupit Gramoz Ruçi, i cili ka theksuar se deri më tani nuk po gjendet kompromisi me shumicën parlamentare për një figurë konsensuale. Po ashtu, bëhet e ditur se grupi parlamentar i Partisë Socialiste nuk ka diskutuar mbi emra të përveçëm, si kandidatë e që mund t’i propozohen mazhorancës gjatë kontakteve të mëvonshme. Qendrimi zyrtar i forcës politike të madhe në opozitë, mbi procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, pritet të saktësohet pasi të vendoset se kur do të zhvillohet seanca plenare për raundin e tretë të votimit. Në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve, zhvilluar pas konsumimit pa kandidatë të raundit të dytë të votimit, është propozuar që votimi i radhës të zhvillohet ditën e premte, datë 8 qershor. Vendimi pritet të merret në seancën parlamentare të ditës së enjte.
Mazhoranca e vendosur për kandidaturën e Xhezair Zaganjorit
Mazhoranca është e vendosur të bëjë president Xhezair Zaganjorin, në kushtet kur opozita e Ramës edhe pasi pranoi të përfshihej në procesin e bisedimeve nuk ofron asnjë alternativë dhe nga ana tjetër nuk jep asnjë argument kundër profilit të kandidatit që mazhoranca vendosi ta ofronte si konsensual. Pas kryeministrit Berisha dhe kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, edhe kryerepublikani Fatmir Mediu thekson se shumica parlamentare ka treguar seriozitet dhe përgjegjshmëri kur arriti tek emri i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, post të cilin e mori si propozim i PS-së, por dhe me votat e opozitës së djathtë në fund të dhjetorit 2002.
Por nëse PS këmbëngul që të mos i japë konsensus Zaganjorit, kjo nuk do të thotë që ai të mos vijojë të jetë kandidati i mazhorancës edhe në raundin e katërt, kur presidentit zgjidhet me të paktën 71 vota.
Edi Paloka nënkryetar i Grupit Parlamentar demokrat thekson dhe nje herë se Rama nuk duhet të kërkojë emra të tjerë nga mazhoranca, e cila bëri tërheqjen e saj për të mos futur në proces kandidatura politike. Edhe deputeti demokrat Fatbardh Kadilli shprehu të njëjtin qendrim.
Por ndërsa Rama vijon të flasë për proces, duke mos i kontribuar atij me një emër që do të gëzonte konsensus, mazhoranca konstaton atë që i druhej që në fillim: Rama nuk është i interesuar t’i japë vendit një kryetar shteti me pëlqimin e të dy palëve.
Kreu i mazhorancës deklaroi një ditë pas takimit me kryesocialistin Rama se opozita duhet të shqyrtojë kandidaturën e Zaganjorit ose të ofrojë kandidat alternativ në mënyrë që të futet në një proces konsultimi, por theksoi se çdo propozim eventual nuk duhet të jetë poshtë nivelit të kandidatit të ofruar nga mazhoranca.