Presidenti Pacolli viziton pikat kufitare në veri

Presidenti i Republikës së Kosovës, Behxhet Pacolli, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij dhe komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Buhler, qëndroi të hënën për vizitë në pjesën veriore të Kosovës, në pikat kufitare 1 dhe 31, njëra afër Zubin Potokut ndërsa tjera afër Leposaviqit.
“Gjatë vizitës, Presidenti Pacolli u njoh me gjendjen në këtë pjesë të vendit, ndërsa gjatë takimit me policët kufitarë dhe me doganierët, ai u informua me punën e tyre dhe qarkullimin e njerëzve dhe mallrave në këto dy pika kufitare mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftim të Presidencës.
Presidenti Pacolli u shpreh i shqetësuar përgjithësisht me gjendjen në këtë pjesë të vendit, ku nga aktivitetet e paligjshme ekonomike dëmtohet në masë të madhe buxheti i Kosovës, ndërsa popullata, serbe e shqiptare, që jetojnë në këtë pjesë, mbahen peng nga strukturat e pakontrolluara dhe që veprojnë jashtë ligjit.