E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti, Rama: Berisha tentoi të blinte votën e dy deputetëve të PS për kandidatin e tij

Share

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka thënë në nisje të mbledhjes së grupit parlamentar të PS se dy deputetëve socialistë iu janë ofruar para për të dhënë votën për kandidatin e Berishës për president. Rama tha se të shtunën deputetët e kanë refuzuar këtë ofertë të Berishës, e cila ka ndodhur edhe në të shkuarën.

Të shtunën në mbrëmje dy deputetë tanë kanë refuzuar ofertën me para për kandidaturën e PD-së. Ka ndodhur po kështu kur kryeministri përpiqej të çante me lekë bojkotin e deputetëve të opozitës, kur zgjodhi presidentin në 2007 dhe do të ndodhë kështu edhe për zgjedhjen e presidentit të ri. Kjo nuk përbën më një lajm.

Ne jemi të shqetësuar se pala tjetër nuk po shfaq asnjë interes për të vënë vendin para interesave personale, ka thënë Rama.

Sipas tij, PS nuk do të pranojë asnjë kandidat nga PD-ja për president, por as nuk do të imponojë një kandidat nga ana e opozitës.

Ne kemi komunikuar dhe do të vazhdojnë të komunikojmë me çdo palë që është e interesuar. Kemi hapur një komunikim me LSI-në dhe PDIU-në dhe do të vazhdojnë të kërkojmë komunikim me PD-në.

Duam një president konsensual, një president që të mishërojë unitetin kombëtar. Duam një president që të garantojë Kushtetutën dhe institucionet kushtetuese. Duam një president që ti japë një hov të madh rrugës së Shqipërisë drejt Brukselit. Duam një president të paanshëm për zgjedhjet e ardhshme. Nuk pranojmë asnjë kandidat nga PD dhe nuk duam të imponojmë asnjë kandidat nga opozita. Duam një president që të mos jetë partner i asnjë partie. Ne duam një president për të gjithë ju.

Reforma zgjedhor nga ana tjetër është një kriter i kërkuar nga Bashkimi Europian dhe SHBA. Ata kanë theksuar se reforma duhet të përmbushet para nisjes së procedurave për zgjedhjen e presidentit. Këtë gjë e kërkoi edhe komisioneri Fyle gjatë vizitës së tij pak ditë më parë, tha Rama.

Duke folur për reformën zgjedhore, Rama është shprehur optimist se ajo mund të përfundojë në mënyrë pozitive.

Në procesin e reformës zgjedhore kemi pasur parasysh gjithë rekomandimet e ODHIR-it. Problemet kryesore të shprehura edhe në gjetjet e rekomandimet të ODHIR dhe eksperiencat e vështira të zgjedhjeve të kaluara më 2009 dhe të 8 majit në Tiranë, janë përmbledhur në 5 pika: listat, identifikimi, numërimi, asgjësimi, ankimimi. Përveç tyre ka edhe një pikë tjetër, për të cilën jemi shprehur qysh në fillim: rishikimi i sistemit zgjedhor.

Procesi i reformës zgjedhore ka pasur dhe ka gjasa që të mbyllet në mënyrë pozitive. Është bërë një hap konkret për administrimin e listave të zgjedhësve. Është bërë hap konkret lidhur me identifikimin e votuesve. Kemi kërkuar vendosjen e një aparature elektronike në çdo qendër votimi, për të bërë të mundur autenticitetin e çdo karte dhe pasaporte elektronike.

Ka pasur skepticizëm nga ana e ODHIR për planin e paraqitur nga ne, por nuk është një refuzim i plotë i kësaj mase. Ne besojmë se zgjidhja e kompromisit për të shmangur gjithë ato probleme nga mosfunksionimi i këtij sistemi, është e mundshme. 

Për numërimin, kemi kërkuar numërim elektronik. Përsëri ekspertët e ODHIR kanë shprehur skepticizëm, nga ana teknike. Ne besojmë se dhe në këtë pikë kompromisi për konsensusin është i mundshëm dhe shpresoj të realizohet, që të plotësojmë një reformë zgjedhore të plotë.

Për administrimin e zgjedhjeve, besoj se nuk ka shqiptar që se pranon që KQZ duhet të riformulohet, u shpreh Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›