Presidenti, Sequi: Mekanizmat parashikohen në Kushtetutë, është bashkim i shqiptarëve

“Zgjedhja e Presidentit parashikohet në Kushtetutë, e cila është e shkruar nga vetë shqiptarët”. Kështu u shpreh sot kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi. Për diplomatin evropian Presidenti i ri duhet të jetë bashkimi i të gjithë shqiptarëve si dhe mekanizmat e përzgjedhjes së tij u takojnë po vetë shqiptarëve, përmes ligjit themeltar të shtetit. “Duke lexuar Kushtetutën, e cila është shkruar nga vetë shqiptarët kam parë se në nenin 86 të saj, presidenti përshkruhet si bashkimi i shqiptarëve. Për sa i përket mekanizmit si të arrihet ky synim këtë ua le juve”- u shporeh Sequi. Komentet e tij Sequi i bëri pas një takimi të zhvilluar me Avokatin e Popullit. Në këtë drejtim, ai ka vlerësuar rolin e madh që ka institucioni i Avokatit të Popullit, ka vlerësuar mënyrën e zgjedhjes së tij në këtë institucion.
“Ne e vlerësojmë kopetencën dhe profesionalizmin e Avokatit të Popullit. Ne vlerësojmë mënyrën se si u zgjodh avokati i Popullit me një proces që ishte publik dhe transparent”- theksoi
Sequi. Ai gjithashtu ka ofruar mbështetjen e Bashkimit Europian dhe të tijin personal për institucionin e Avokatit të Popullit ndërsa e ftoi titullarin e këtij institucioni që së shpejti të zhvillojë një vizitë në Bruksel.
Ambasadorja gjermane, Holkemper: Presidenti i ri, sipas Kushtetutës
Ambasadorja gjermane në vendin tonë, Carole Muller-Holtkemper e cilëson zgjedhjen e Presidentit të ri si proces të bazuar në Kushtetutë, ndërsa mbështet edhe konsensusin mazhorancë-opozitë. Sipas saj, zgjedhja e kreut të shtetit është e rëndësishme për vendin, por kusht kryesor është që t’i përmbahet Kushtetutës. Komentet e saj, Holtkemper i bëri gjatë një vizite në Burrel, e shoqëruar nga deputetë të zonës. Gjithashtu, ambasadorja mori edhe njohuri historike për Matin gjatë vizitës së saj në muzeun Historik ku u prit nga drejtoresha, Suzana Kurti.