Presidenti: Shkarkimi i Veliajt, kompetencë e Gjykatës Administrative dhe jo e Gjykatës Kushtetuese

Institucioni i Presidentit të Republikës, i përfshirë si palë e interesuar në çështjen e shkarkimit të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka dorëzuar pranë Gjykatës Kushtetuese parashtrimet e tij juridike. Në një lëvizje transparente, Presidenca i vuri në dispozicion të medias dokumentin, i cili përmban një kritikë ndaj Gjykatës Kushtetuese për pranimin e çështjes.
Presidenca argumenton se Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë (juridiksion) për të shqyrtuar vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 539, datë 25.9.2025, për shkarkimin e Veliajt, duke sfiduar në thelb vendimin e gjyqtarëve për të marrë çështjen në shqyrtim.
Argumenti qendror i Presidencës bazohet në bazën ligjore të shkarkimit, si Neni 115 i Kushtetutës. Presidenti thekson se ky nen (që parashikon ankimin direkt në Kushtetuese dhe pezullimin) vlen vetëm nëse shkarkimi bëhet “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” (shkronja ‘a’ e nenit 62 të ligjit).
Lidhur me shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Presidenti sjell prova (Vendimi i Këshillit Bashkiak dhe VKM) që tregojnë se shkarkimi u bë në bazë të shkronjës “c” të nenit 62 të ligjit nr. 139/2015 (për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë).
Për shkarkimin bazuar te neni 62/c, shqyrtimi gjyqësor duhet t’i takojë Gjykatës Administrative, dhe jo Gjykatës Kushtetuese.
“Në të gjitha rastet e tjera të shkarkimit, Gjykata Kushtetuese nuk ka se çfarë të verifikojë,” thekson dokumenti i Presidencës.
Presidenti shprehet se Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e Dekretit të tij (për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme), për të cilin “qartazi nuk ka asnjë kompetencë,” ndërsa nuk pezulloi aktin primar, VKM-në, për të cilin ndihej kompetente. Kjo vlerësohet si “veprim haptazi antikushtetues.”
Institucioni presidencial vë në dukje se Gjykata Kushtetuese “injoroi tërësisht aktet zyrtare” dhe u vet-izolua ndaj qëndrimeve të Presidentit dhe Këshillit të Ministrave për çështjen e kompetencës.
Presidenti thekson se vendimi për pranimin në shqyrtim u mor vetëm pas konsultës me kërkuesin (Veliaj) dhe pa dëgjuar palët e interesuara, duke shkelur rëndë procesin e rregullt ligjor dhe cenimin e paanësisë.
Si përfundim, Presidenti kërkon që Gjykata Kushtetuese të korrigjojë menjëherë vendimin e saj për legjitimimin dhe të riçelë diskutimin, duke dëgjuar argumentet e të gjitha palëve.
/rtsh.al/