Akuza e Bardhit: Djali i Presidentit Begaj paguhet nga kompania që siguron Presidencën me 30 mijë euro në vit

Nisma për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, ka marrë një dimension të ri sot, pasi deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, publikoi dokumente që, sipas tij, provojnë një rast të konfliktit të interesit dhe korrupsionit të nivelit të lartë.
Në një deklaratë Bardhi e akuzoi Presidentin Begaj për “korrupsion dhe përfitim të paligjshëm,” duke hedhur dritë mbi pagesën e djalit të Kreut të Shtetit nga një kompani private me të cilën Presidenca ka marrëdhënie kontraktuale.
Sipas Bardhit, i biri i Presidentit, i cili jeton dhe punon si mjek në Gjermani, ka filluar të paguhet në Shqipëri gjashtë muaj pas emërimit të babait të tij si President.
„Pagesa e pretenduar arrin në 30 mijë euro në vit. Pagesa kryhet nga një kompani sigurimesh, e cila, ka kontratë prokurimi me Institucionin e Presidentit për të gjitha prokurimet.“, tha Bardhi.
Bardhi thekson se provat janë marrë nga “dokumente zyrtare të deklarimit të pasurive dhe nga Thesari i Shtetit.”
“Çfarë e pengoi Presidentin të pohojë se djali i tij paguhet pa qenë fare në Shqipëri nga kompania me të cilën Presidenca ka kontratë? Përgjigja është vetëm një: Korrupsioni dhe përfitimi i paligjshëm i Presidentit!” shkruan Bardhi.
Kjo akuzë vjen si pjesë e nismës së Partisë Demokratike për shkarkimin e Presidentit Begaj. Bardhi paralajmëroi se ky është vetëm një nga rastet “skandaloze” dhe i bëri thirrje Kuvendit që “nuk mund të mbyllë sytë përpara korrupsionit, që nis nga maja e shtetit.”
Deri më tani, Presidenti Begaj ka reaguar ndaj nismës për shkarkim duke thënë se nuk komenton nismat politike dhe se pret nga Parlamenti të hetojë me profesionalizëm pretendimet, të cilat ai i cilësoi si “të pavërteta.”
Faksimile dokumentesh të publikuara nga deputeti i PD, Gazment Bardhi:
/rtsh.al/