E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron artistë të shquar

Kreu i shtetit Bamir Topi dekoroi sot paradite figura të shquara të artit skenik e të kinematografisë shqiptare, personalitete artistike të dashura e të njohura për mbarë publikun shqiptar.  Në fjalën e tij, presidenti Topi theksoi se sot nderohet një epokë kinematografie, një brez të jashtëzakonshëm artistësh që me veprat e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në traditën dhe kujtesën tonë kulturore dhe shoqërore.
 

“Ne ju jemi përjetë mirënjohës ju, sepse me personalitetin dhe aktrimin tuaj ushqyet në një epokë të errët shpirtin tonë, ëndrrat, dëshirën tonë për liri. Ju ishit pishtarë drite në natën e gjatë të diktaturës. Tek secili prej jush, aktori, historia dhe fjala u bënë një dhe në këtë lidhje kryet realizimin tuaj si aktorë të mëdhenj si mjeshtra të artit të shtatë duke u skalitur në ndërgjegjen kombëtare. Raporti juaj me fjalën, me skenën ishte shpirtëror një fluturim në lartësi, një ngjizje hyjnore” është shprehur Topi.
 

Ai theksoi më tej se suksesi i tyre është dëshmi e një tradite të fortë kinematografike, e një plejade të jashtëzakonshme artistësh që lindin dhe e ndërtuan karrierën e tyre në një kohë të vështirë për ata që ju panë e ju ndoqën dhe për shoqërinë shqiptare.
“Shpesh ne shohim se politika zakonisht mbetet lajm i parë, por unë sot dëshiroj të apeloj median dhe publikun që të kthejnë kokën nga ato vlera humane dhe talenti, aktiviteti dhe pune fisnike që ju keni përfaqësuar dhe përfaqësoni dhe që i mungojnë dukshëm edhe politikës. Koha ka dëshmuar se politikanët, natyrisht megjithë punën e vyer që bëjnë, shkojnë dhe vijnë, kurse arti dhe artistët, krijimtaria e tyre e pasur, është dhe mbetet mbi vitet, dekadat dhe shekujt. Ceremonia e sotme e dëshmon këtë” shtoi Topi.

Kështu në shenjë vlerësimi e nderimi të veçantë, Presidenti Topi u dorëzoi Urdhrin “Nderi i Kombit”, artistëve Drita Pelingu, Margarita Xhepës dhe Tinka Kurtit, ndërsa me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, artisten Edi Luarasi, Roza Anagnostin, Liljana Teshon si dhe Llukan Bushin.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›