Presidenti Topi: Të shtunën, tryeza e dialogut

Tiranë, 8 shkurt, NOA Tryeza politike, në
funksion të dialogut mes mazhorancës dhe opozitës për zgjidhjen sa më parë të ngërçit
politik që ka përfshirë politikën që prej zgjedhjeve të 28 qershorit, do të
mbahet ditën e shtunë.
Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të
Presidencës, sipas të cilave kjo ditë është zgjedhur nga kreu i shtetit për të
zhvilluar negociatat e premtuara mes palëve për shkrirjen e akujve që mbajnë të
ngrirë marrëdhëniet institucionale mes palëve.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vendosi
që të thërrasë tryezën politike, ditën e shtunë më 13 shkurt 2010 në orën
11.00, në selinë e Presidentit në vijim të takimeve të sotme me kreun e delegacionit
të Komisionit Evropian në Tiranë, ambasadorin Helmut Lohan dhe me ambasadorin e
Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse, si dhe me ambasadorin e
SHBA-ve në vendin tonë, Xhon Uithers II. Por edhe pas kontakteve me kryeministrin
dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe kryetarin e Partisë
Socialiste, Edi Rama, thuhet në deklaratën e publikuar nga institucioni i
Presidencës lidhur me një fakt të tillë.
Në këtë mënyrë, kreu i shtetit ka caktuar pikën
e takimit mes palëve për të gjetur rrugën e duhur drejt zgjidhjes së krizës politike,
kusht ky i vënë tashmë edhe nga ndërkombëtarët, të cilët paraqiten të
interesuar për zhbllokimin e situatës së rënduar.
n.e/NOA