E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekorohet me “Urdhrin e Madh të Mbretit Tomislav me Brez dhe Yllin e Madh të Agimit”.

20 maj 2009
Zagreb, Kroaci

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi u nderua sonte në darkë nga Presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiç me “Urdhrin e Madh të Mbretit Tomislav me Brez dhe Yllin e Madh të Agimit”, që është dhe urdhri më i lartë shtetëror i Republikës së Kroacisë.

Në ceremoninë zyrtare të organizuar me këtër rast, Presidenti kroat Mesiç vlerësoi kontributin e vyer të Presidentit Topi në zhvillimin e marrëdhënieve shumë të mira midis Shqipërisë dhe Kroacisë dhe dy popujve tanë. Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë ceremoni, z. Mesiç vuri në pah: ‘’miqësinë mes dy vendeve tona, të cilët më parë kanë jetuar nën sisteme të ngjashme, sisteme socialiste, ndërsa tani ecin me hapa të mëdhenj përpara në drejtim të demokracisë dhe përparimit. Të dy vendet kaluan periudhat e tranzicionit, së bashku ngjitën shkallët e përparimit edhe sot bashkëpunojnë ngushtësisht me njëri-tjetrin. Marrëdhëniet tona janë shumë të mira dhe zhvillohen çdo vit e më shumë, dhe në këtë mes është gjithashtu edhe merita e Presidentit Topi, të cilin e vlerësojmë si një mik të sinqertë dhe si njeriun, i cili është i përkushtuar ta udhëheqë Shqipërinë në rrugën e saj drejt Evropës së Bashkuar.

Zoti President Topi, ju keni dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e marrëdhënieve kroato-shqiptare. Jam i sigurt që këtë kontribut do të vazhdoni ta jepni edhe më tej. Për gjithë këtë që keni bërë deri më tani ju dekoroj me Urdhrin e Lartë të Mbretit Tomislav me Brez dhe Yllin e Madh të Agimit’’.

Për këtë nderim dhe vlerësim të veçantë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi shprehu mirënjohjen e tij të thellë, duke e konsideruar këtë Urdhër një respekt që i bëhet mbarë popullit shqiptar. Kreu i shtetit shqiptar u shpreh: ‘’I nderuar zoti President Mesiç! I nderuar mik! Ky moment më mbush me emocione të veçanta dhe padyshim i tillë është ky moment. Unë sinqerisht ju falenderoj nga zemra për respektin që më bëtë! Jam i bindur që kjo dekoratë që po më jepet këtu sot vërtet po merret me titullin personal, por në fakt është kontribut i jashtëzakonshëm i të gjithë atyre që kanë kontribuar në ndërtimin e kësaj miqësie. Ju siguroj i nderuari zoti President, se të njëjtën stimë kemi edhe ne për ju! Sikurse e thamë edhe sot në mëngjes, ne po përjetojmë momentet e një marrëdhënieje të shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Kroacisë. Ky moment është jo vetëm konfirmim i miqësisë së rindërtuar vitet e fundit, por gjithashtu edhe i traditës së hershme të marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Unë padyshim do të mundohem ta mbaj gjithmonë si kujtim këtë medalje, e cila do të më angazhojë gjithnjë e më shumë për ta forcuar këtë miqësi e për ta merituar këtë respekt në rrugën tonë të përbashkët për t’u bërë pjesë e plotë e familjes euro-atlantike. Edhe njëherë ju falemnderit shumë zoti President!’’

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›