E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi dekoron 37 intelektualët e vrarë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi dje me urdhrin "Nderi i Kombit", 37 intelektualët e Tiranës të vrarë nga diktatura komuniste më 28 tetor - 16 nëntor 1944. Ky nderim i lartë nga kryetari i shtetit përkon me 65- vjetorin e masakrës së terrorit komunist në Tiranë, i cili u mori jetën këtyre personave mendjendritur e të pafajshëm. Me këtë rast, në Presidencë u organizua një ceremoni solemne. Kryetari i shtetit u dorëzoi urdhrin dhe dekretin e dekorimit familjarëve të intelektualëve të nderuar: Akil Sakiqi, Nazmi Uruçi, Fahri Dabulla, Mumtaz Kokalari, Vesim Kokalari, Ismail Petrela, Muharrem Lleshi, Muharrem Liku, Abdulla Saraçi, Jorgji Mema, Nebil Çika, Hamid Greblleshi, Subi Topulli, Kapllan Deliallisi, Jakup Deliallisi, Shefqet Deliallisi, Anton Fekeçi, Isuf Allamani, Boris Belevski, Minella Toçi, Selim Kelmendi, Selaudin Korça, Lluka Xhumari, Ali Panariti, Rakip Kalenja, Hasan Dine, Azis Blloshmi, Faik Shkupi, Mehmet Dada, Rifat Tërshana, Aleks Mavraqi, Selman Shtjefni, Petraq Pekmezi, Ndue Pali, Syrja Kokalari, Bajram Cuka, Lorenc Rasha. Ky vlerësim dhe nderim i lartë i Presidentit të Republikës, Bamir Topi, u bë në shenjë respekti dhe përuljeje për grupin e intelektualëve të vrarë nga terrori komunist nga 28 tetori deri më 16 nëntor 1944, me motivacionin: "Të martirizuar nga terrori komunist, për shkak të besimit në idetë demokratike perëndimore të zhvillimit të Shqipërisë pas Luftës II Botërore". Zoti Bahri Liku, i ati i të cilit ka qenë një nga viktimat, shprehu mirënjohjen ndaj kreut të shtetit shqiptar për nderin e lartë, duke theksuar: "Në emër të familjarëve përshëndesim Presidentin e Republikës për këtë vlerësim kaq të madh që po u bëhet prindërve tanë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›