Presidenti Topi dekoron At Zef Valentinin

Presidenti Topi dekoroi sot paradite një prej figurave më të shquara në fushën e albanologjisë, personalitetin fetar me një kontribut të rëndësishëm si përkthyes, historian e filozof, At Zef Valentinin (Pas vdekjes), me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Në fjalën e tij, presidenti Topi vlerësoi figurën e At Zef Valentinit në jetën publike shqiptare. “Me një formim profesional elitar, At Valentini pati një angazhim direkt më se 20-vjeçar në jetën publike shqiptare dhe gati 30-vjeçar nga Italia, duke qenë njëherësh një mësues shembullor, studiues i aftë dhe krijues me kontribute të mëdha në dokumentimin e historisë dhe traditës zakonore ende të panjohur sa duhet për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai ishte njëherësh krijues dhe përkthyes, historian dhe filozof, një personalitet fetar dhe publik, albanolog dhe figurë e përmasave të larta akademike. Valentini është themelues e drejtues i “Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare” në Universitetin e Palermos, dhe për vite të tëra një nga emrat më të spikatur të mbrojtjes dhe promovimit të kulturës shqiptare në botë” theksoi Topi.
Presidenti shtoi më tej se figura e tij nuk u zbeh nga përpjekja e sistemit totalitar për të shuar dhe denigruar atë dhe personalitete të tjera të shquara me veprimtari atdhetare dhe shkencore. “Veprat e tij u lanë në hije, ashtu siç regjimi veproi me Fishtën, Koliqin dhe mendimtarë të tjerë të kalibrit të lartë të së njëjtës periudhë. Falë punës kurajoze dhe angazhimit qytetar të botuesit Kulla dhe emrave më të njohur të jetës së sotme publike kulturore, tashmë publiku ka në dispozicion një pjesë të madhe të krijimtarisë së Valentinit, dhe kështu, një shans të artë për të mësuar nga kritika dhe dëshmitë, analiza dhe vizioni i tij për etapa e ngjarje më rëndësi të veçantë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët theksoi Topi.