E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron Korpusin e Paqes në Shqipëri me Urdhrin e lartë “Nënë Tereza”

24 maj 2012
Elbasan

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi mori pjesë sot paradite në ceremoninë e betimit të vullnetarëve të Korpusit të Paqes, në kuadër të 20-vjetorit të misionit amerikan në vendin tonë, organizuar në tempullin e artit të qytetit të Elbasanit, në Teatrin “Skampa” ku u prit nga Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini dhe nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Aleksandër Arvizu.

Pas një takimi të shkurtër e të përzemërt më Kryebashkiakun Sejdini dhe Ambasadorin amerikan, Arvizu si dhe Drejtorin e Korpusit të Paqes, Hill Denham, Kreu i Shtetit ndoqi nga afër ceremoninë e betimit të vullnetarëve të Korpusit të Paqes, e cila nisi me fjalën zotit Denham. Pasi shprehu ngushëllimet për viktimat e aksidetit rrugor të Himarës, zoti Denham vuri në dukje se “misioni diplomatik i paqes dhe prosperitetit të Korpusit Amerikan të Paqes në Shqipëri, i cili filloi aktivitetin 20 vjet më parë, duke u bërë urë lidhëse e rëndësishme e komunikimit mes njerëzve e komuniteteve përmes vullnetarëve të tij, ofroi ndihmë me mësimin e gjuhës angleze në universitete, dhe më pas, me bashkërendim të aktiviteteve të tyre me organizma dhe ente të qeverisë shqiptare, USAID, organizata joqeveritare e shkolla, si dhe nëpërmjet projekteve të planifikimit urban, zhvillimit ekonomik, bujqësor e turistik, etj”.

Më pas, e mori fjalën Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili theksoi dhimbjen dhe tronditjen e thellë të qytetit të shkaktuar nga tragjedia e madhe dhe njerëzore e 21 majit në Himarë. Duke shprehur nderimin për viktimat, zoti Sejdini solli në vëmendjen e të pranishmëve edhe ngjarjen e rëndë të dy ditëve më parë të humbjes së jetës së studenteve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, ku, ndër të tjera shprehu angazhimin maksimal të institucionit që drejton, duke uruar që ngjarje të tilla tragjike të mos përsëriten më, por që qyteti i Elbasanit “të njohë vetëm perspektiva të reja pozitive me shpresën që ky aktivitet do të shërbejë si një gur themeli në të ardhmen e bashkëmoshatarëve të viktimave të tragjedisë së 21 majit”.

Ndërsa, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Aleksandër Arvizu, vuri në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin e gjithanshëm që ekziston midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, “te reflektuar më së miri edhe gjatë misioneve të rëndësishme të ushtruara në Shqipëri nga vullnetarët e Korpusit të Paqes”, duke u shprehur i sigurt “në forcimin e klimës së bashkëpunimit në të gjitha fushat mes dy vendeve tona dhe në shkëmbimin e përvojave e eksperiencave të ndryshme në të mirë të komunitetit”. Menjëherë më pas, Ambasadori Arvizu çeli ceremoninë e betimit të vullnetarëve të Korpusit të Paqes, dy prej të cilëve lexuan një përshendetje të sinqertë në shqip, duke shprehur mirënjohjen simbolikisht edhe në emër të të gjithë vullnetarëve që shërbejnë në vendin tonë.

Pas betimit të vullnetarëve amerikanë, e mori fjalën Kreu i Shtetit shqiptar, i cili, duke nxjerrë në pah vlerat e misionit njerëzor të Korpusit te Paqes për promovimin e paqes dhe miqësisë anembanë botës, theksoi:

“I nderuar miku ynë, Ambasador Arvizu,
I nderuar zoti Sejdini,
I nderuar zoti Denham,
Të nderuar zonja e zotërinj,
Të dashur vullnetarë të Korpusit të Paqes!!

Më lejoni t’ju përshëndes dhe t’ju them që marr pjesë me shumë dëshirë në këtë ceremoni mjaft sinjifikative që tregon esencialisht dy gjëra të rëndësishme, së pari, një miqësi të shkëlqyer midis kombit shqiptar dhe kombit të madh amerikan, popullit shqiptar dhe popullit amerikan, dhe një lidhje shpirtërore që i shkon shumë për shtat filozofisë dhe prakticitetit amerikan, dhe njerëzve si ju, që kanë ardhur në Shqipëri për ta farkëtuar më tej këtë miqësi, e cila me siguri do të jetë në jetë të jetëv!

Ky aktivitet natyrisht që ishte planifikuar prej kohësh, por duke ardhur sot në Elbasan, padyshim që kam ardhur me një emocion të përzier, me një emocion të dyfishtë. Duke qenë se jemi shumë afër nga ia moment tragjik, që i mori jetën mjaft vajzave në një moshë jashtëzakonisht të re, dominanti, padyshim që është dominanti i dhimbjes në ditën e sotme. E kam thënë edhe diku tjetër, në një moment të shprehjes së dhimbjes, që e kam ndjekur atë aksident edhe në minutat që e pasuan, me ankthin e një prindi. Dhe nuk ka dyshim, kështu e kanë ndjekur të gjithë. Dhe meqenëse sot jemi këtu në mes të Elbasanit, jemi shumë afër edhe si distancë nga Universiteti ‘Aleksandër Xhuvani’, është e pamundur që të mos i rikthehemi atij momenti - homazh për viktimat, duke iu drejtuar së pari familjarëve, dhe të afërmve, me mesazhin që ‘Zoti ju dhëntë forcë për ta përballuar këtë fatkeqësi të madhe!’, duke iu drejtuar me urimin që vajzat, të cilat janë të lënduara nga ky aksident, ‘Të shërohen sa më shpejt!’, duke u bërë thirrje pedagogëve, duke u bërë thirrje strukturave, jo vetëm universitare, por edhe të pushtetit këtu në Elbasan, që me shumë përkujdesje, të mbijetuarat, por dhe shokët dhe shoqet, të kenë një suport të mjaftueshëm për ta kaluar sa më lehtë këtë shok psikologjik. Unë falënderoj edhe Ambasadorin Arvizu për shprehjen e ndjeshmërisë së lartë lidhur me këtë tragjedi!

Emocioni tjetër, që natyrshëm na sjell jeta, është pikërisht ky moment i gëzuar, që ka të bëjë me certifikimin e përfundimit të një kursi që ka të bëjë me Korpusin e Paqes, duke dhënë simbolikën e vazhdimit të jetës. Pashë një moment mjaft interesant gjatë betimit, një sintoni, një harmonizim i jashtëzakonshëm i zërave të anëtarëve të Korpusit të Paqes gjatë ekzekutimit të betimit. Kjo nuk është e rastësishme. Kjo tregon për një motivim të thellë që është ana formale e prezantimit, por që tregon për një botë jashtëzakonisht të pasur dhe të motivuar të anëtarëve të Korpusit të Paqes. Është impresionuese që brenda dhjetë javësh të arrish të artikulosh gjuhën tonë në mënyrë, jo vetëm të kuptueshme, por të admirueshme. Ne i jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qeverisë së Shteteve të Bashkuara, por edhe Korpusit të Paqes, për të gjithë atë veprimtari të jashtëzakonshme që kanë zhvilluar në Shqipëri, që fillon menjëherë pas hapjes së Shqipërisë, pas rrëzimit të sistemit diktatorial. Mbaj mend që në zgjedhjet politike të vitit 1996, kur unë isha kandidat në një zonë shumë të vështirë malore, rastësisht shikoj dy anëtarë të Korpusit të Paqes, për të qenë më i kuptueshëm, specifikisht në Malësinë e Shëngjergjit, në një fshat shumë të thellë. Dhe kurioziteti menjëherë më bëri që të ndaloj dhe të bisedoj me ta. Me një admirim të thellë, unë konstatova që ata ishin bërë njësh me fshatarët e kësaj zone. Dinin gjithçka rreth tyre. E dhashë këtë shembull për të thënë edhe njëherë që misioni i Korpusit të Paqes, i realizuar në Shqipëri gjatë këtyre viteve, ka qenë një ndihmesë e madhe për shoqërinë shqiptare dhe për institucionet shqiptare. Sipas shifrave që na janë referuar janë rreth 1.6 milionë orë të shpenzuara në Shqipëri nga anëtarët e Korpusit të Paqes. Janë 64 bashki dhe komuna të asistuara nga anëtarët e Grupit të Vullnetarëve të Korpusit të Paqes. Një bashkëpunim shumë i rëndësishëm me bashkitë, me komunat, me këshillat e qarqeve, dhe me institucione të tjera.

Dhe padyshim, pa e zgjatur, unë duke marrë në konsideratë të gjithë këtë ndihmë, gjithë këtë preokupacion, të gjithë këtë motivim të Korpusit të Paqes, me cilësinë e Kreut të Shtetit dhe në emër të Shtetit shqiptar, duke marrë në konsideratë atë mision humanitar, fisnik, kam vendosur që ta dekoroj Korpusin e Paqes në Shqipëri, dhe natyrisht me një titull që është shumë sinjifikativ, me Urdhrin e lartë ‘Nënë Tereza’. Sikurse Nënë Tereza la vendin e saj për të shërbyer në zona mjaft të vështira, me një humanizëm të thellë, sikurse dihet nga të gjithë, vërtet një grua shtatshkurtër, e vogël, por një misionare e jashtëzakonshme, secili prej jush, ndonëse i panjohur, por me një motivim të thellë, besoj që do t’i shkonte për shtat ky urdhër i lartë, që do të ishte një pikë referimi për të ardhmen tuaj vërtet të sigurt në bashkëpunim me ata që keni ndihmuar, por duke marrë njëkohësisht edhe nga ata, të gjitha ato vlera specifike, që i kanë zonat tona, sado që mund të jenë të thella, por janë të mbushura me fisnikëri. Edhe njëherë, urimet më të mira dhe suksese në misioni tuaj! Faleminderit!”.

Pas ekzekutimit të himnit të flamurit, Presidenti i Republikës i dorëzoi Drejtorit të Korpusit të Paqes në Shqipëri, Urdhrin e Lartë “Nënë Tereza” me këtë motivacion: “Për ndihmesën shumë të çmuar të qeverisë dhe popullit amerikan që, nëpërmjet vullnetarëve të këtij Korpusi, kanë dhënë një kontribut të vyer për ecurinë dhe përparimin e vendit tonë në shumë fusha të rëndësishme. Me punën e tyre humanitare, domethënëse dhe të përkushtuar, kanë rizgjuar ndjenjën e vullnetarizmit në komunitetin shqiptar, duke forcuar akoma më tej marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore të bashkëpunimit e të mirëkuptimit midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”

Hill Denham, Drejtori i Korpusit të Paqes në vendin tonë, pasi shprehu mirënjohje të thellë dhe falënderoi Presidentin e Republikës për nderimin e vlerësimin e lartë nga shteti shqiptar, vuri në dukje se “misioni amerikan i paqes dhe prosperitetit të Korpusit Amerikan të Paqes në Shqipëri, do të vazhdojë të punojë me projektet e bashkëpunimit të përbashkët në dobi të zhvillimit të mëtejshëm të Shqipërisë dhe forcimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›