E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron Zv/Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Ingland me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

30 shtator 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi sot, gjatë një ceremonie solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Zëvendës Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, z. Gordon Ingland me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit, Aleksandër Flloko, lexoi dekretin përkatës me motivacionin: “Për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes midis SHBA dhe Shqipërisë, ristrukturimin dhe transformimin e Forcave të Armatosura, si dhe kontributin e dhënë për pranimin e Shqipërisë në NATO”.

Nga ana e tij, Zv/Sekretari i Departamentit amerikan të Mbrojtjes, z. Gordon Ingland shprehu falenderimin për nderin dhe vlerësimin e madh si dhe mirënjohjen për mikpritjen shume të ngrohtë që i është bërë në Shqipëri, duke shpresuar në vijimin e bashkëpunimit kaq të mirë me Shqipërinë.

Në ceremoninë e dekorimit morën pjesë Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, Ambasadori amerikan në Shqipëri, Xhon L. Uidhers, të tjera personalitete, si dhe stafi i Presidentit të Republikës.

* * *

Pas ceremonisë së dekorimit, Presidenti Topi zhvilloi një takim të veçantë me Zëvendëssekretarin e Mbrojtjes amerikan, z. Gordon Ingland, në të cilin i shprehu edhe njëherë mirënjohjen për votimin nga ana e Senatit amerikan të fillimit të procedurave të ratifikimit të protokollit të futjes së Shqipërisë me të drejta të plota në NATO. Gjitashtu Kreu i shtetit bëri një përshkrim të reformave të ndërrmara në vendin tonë si ajo në gjyqësor, reforma zgjedhore dhe ekonomike me qëllim arritjen dhe përmbushjen sa më të shpejtë të standardeve integruese.

Nga ana e tij, Z. Ingland vlerësoi përparimet dhe sukseset e arritura nga Shqipëria, duke vënë në pah rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së institucioneve të pavarurura kushtetuese dhe duke siguruar Presidentin Topi për vazhdimësinë e mbështetjes së palëkundur amerikane për vendin tonë për të promovuar dhe mbrojtur paqen dhe qëndrueshmërinë në Ballkan e më gjerë si dhe duke theksuar rolin e rëndësishëm të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon.

Në vijim Presidenti Topi dhe zëvendëssekretari amerikan i Mbrojtjes dhanë një deklaratë të përbashkët për shtyp në Pallatin e Brigadave.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›