E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi nderon kujtimin e patriotit Fan S. Noli.

28 shtator 2008
Boston,
SHBA

Në përfundim të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi dhe delegacioni zyrtar, bëri homazhe në varrin e patriotit Fan S. Noli.

Në praninë e drejtuesve të Kishës Ortodokse shqiptare, si dhe të bashkëatdhetarëve tanë që jetojnë dhe punojnë në Boston, po ashtu të ardhur dhe nga qytete të tjera të SHBA-së me rastin e 100 vjetorit të Kishës Ortodokse shqiptare, Kryetari i Shtetit vendosi një kurorë në nderim të thellë, mirënjohje dhe respekt për veprën e Fan S. Nolit.

Presidenti Topi duke komunikuar me të pranishmit, u shpreh se "në këtë vend të pelegrinazhit kombëtar, kisha dëshirë të isha patjetër me ju sot, për t’i bërë homazhe së bashku këtij burri të madh të kombit shqiptar, që edhe sot pas njëqind vjetësh, vepra e tij si një libër i shenjtë, vazhdon të iluminojë fuqishëm rrugën e shqiptarëve drejt civilizimit, përparimit e demokracisë.

Në vijim, Presidenti i Republikës theksoi se "duke e përmbledhur të gjithë kontributin e tij, mund të them se, aq mirë i ndërtoi themelet e një Kishe dhe komuniteti të edukuar shqiptar, themelet e gjuhës, historisë dhe kuturës kombëtare, të vizionit liberal për shtetin, sa dhe sot pas një shekulli, ndihemi krenarë dhe përulemi me shumë respekt për veprën e Imzot Nolit".

Gjithashtu, në shenjë nderimi dhe respekti, Presidenti Topi vendosi një kurorë me lule dhe në varrin e publicistit Faik Konica.

* * *

Ditën e sotme, pak para largimit për në Shqipëri, Presidenti Topi u takua në një ambjent të ngrohtë e vëllazëror me një përfaqësi të komunitetit shqiptar që jeton dhe punon në Boston. Në komunikimin me ta Kryetari i Shtetit falenderoi për mikpritjen, që shqiptarëve nuk u ka munguar asnjëherë dhe që i është dëshmuar edhe gjatë kësaj vizite të tij në SHBA, në vendin të cilin shumë shqiptarë e kanë ëndërruar dhe që shumë të tjerë e kanë bërë realitet, në vendin aleat të Shqipërisë, ku në vitet më të vështira shqiptarët kanë gjetur strehë. “Sot shqiptarët në SHBA janë bërë ambasadorë të vlerave dhe virtyteve kombëtare, të traditës dhe kulturës sonë të lashtë, duke qëndruar mjaft dinjitoz dhe kompetitiv”, - vuri në dukje Presidenti duke iu drejtuar të pranishmëve, mes të cilëve edhe personalitete të spikatura të jetës akademike në Shqipëri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›