E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklarata e Presidentit Topi dhe e Zv/Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Ingland.

30 shtator 2008

Në përfundim të takimit të zhvilluar sot në ambjentet e Pallatit të Brigadave, Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zëvendës Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Gordon Ingland deklaruan për mediat:

Presidenti i Republikës, Bamir Topi:

Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Zoti Ambasador Uithers,
Zoti Oketa,

Është një kënaqësi e veçantë që jemi këtu pas një momenti i cili nuk është thjesht ceremonial për dekorimin e z. Ingland me Urdhrin “Gjergj Kastritoti Skënderbeu”. Por në të njëjtën kohë është një shembull sinjifikativ i vlerësimit të marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe në këtë kontekst është dhe vlerësimi për z. Ingland, Zëvendës Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Mbrojtjen.

Kam rastin këtu edhe një herë të falenderoj Senatin e Shteteve të Bashkuara, I cili me një vullnet të plotë, me një vullnet eksplicit të shprehur realizoi pikërisht aprovimin e fillimit të procedurave për ratifikimin e protokollit që do I njohi Shqipërisë anëtarësimin me të drejta të plota në NATO.

Unë e sigurova z. England, që Shqipëria dhe institucionet e saj e gjithë politika dhe e gjithë shoqëria shqiptare jo vetëm e konsideron këtë si një shenjë të çmuar të këtyre marrëdhënieve dhe të suportit që vjen nga Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por si një moment të angazhimit të plotë për vazhdimin e reformave, reformave politike, institucionale dhe ekonomike në mënyrë që standardet që kërkohen nga Shqipëria të realizohen sa më shpejtë të jetë e mundur. E sigurova z. England që Shqipëria sikurse ka luajtur, vazhdon të luajë dhe do të luajë me prioritet rolin e moderatorit në rajonin tonë Ballkanik. Ne do të bëjmë përpjekje vigane për të pasur pikërisht këtë vlerësim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ta merituar këtë marrëdhënie, për të merituar besimin që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që Shqipëria të jetë pjesë e NATO-s. Padyshim, unë e sigurova, sikurse janë të bindur të gjithë shqiptarët që Shqipëria, institucionet e saj do të jenë aleatë të sigurtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në çdo lloj situate.

Edhe një herë kam rastin të vlerësoj vizitën e z. England, ta uroj dhe një herë për medaljen e merituar dhe t’i uroj suksese të mëtejshme në karrierën e tij dhe nëpërmjet tij të dërgoj përshëndetjet më të mira për Presidentin Bush, për përfaqësuesit e Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të gjithë kolegët tanë dhe për të gjithë popullin amerikan.

Faleminderit!

Zëvendës Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Gordon Ingland:

Zoti President,

Ju falenderoj për miqësinë tuaj, për lidershipin tuaj të fortë, ju falenderoj për këtë pritje te jashtëzakonshme dhe këtë nder të madh, jam shumë i nderuar për medaljen që më dhatë!

Zoti Ministër i Mbrojtjes, Oketa,

Ju falenderoj për udhëheqjen tuaj dhe një falenderim i veçantë u shkon si ju, ashtu edhe bashkëshortes suaj të mrekullueshme, Adela për mikpritjen dhe miqësinë personale!

Ambasadori Uidhers,

Ju falenderoj gjithashtu për punën tuaj të mrekullueshme që po bëni në detyrën e rëndësishme të përfaqësimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipërinë mike!
Dëshiroj gjithashtu të falenderoj të gjithë udhëheqësit qeveritarë dhe diplomatët, të cilët janë me ne këtu! Doti, gruaja ime, dhe unë ju jemi shumë mirënjohës për pritjen e ngrohtë dhe mikpritjen fisnike që keni treguar gjatë vizitës sonë.

Shqipëria është një kontribuese kyçe në sigurimin e bashkëpunimit dhe qëndrueshmërisë në mbarë Ballkan dhe vendi ynë ndan të njëjtin qëllim për përarimin e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon. Jam jashtëzakonisht i lumtur që jam në Shqipëri në këtë kohë pasi Senati amerikan ratifikoi hyrjen e Shqipërisë në NATO dhe shpresojmë që të gjithë të votojnë për futjen e Shqipërisë me të drejta të plota deri në prillin e ardhshëm dhe zoti President më lejoni t’ju shpreh edhe një herë urimet e mia më të mira për këtë arritje të rëndësishme! Qysh kur jam këtu shumë njerëz më kanë falenderuar për ndihmën time, por unë jam këtu për të falenderuar Shqipërinë, Forcat e saj të Armatosura, popullin shqiptar për punën e madhe dhe të mrekullueshme dhe urime edhe një herë!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria ndajnë një partneritet shumë të afërt dhe një miqësi të thellë. Përgjatë dy dekadave të fundit, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë punuar së bashku në mënyrë që të ndihmojnë shqiptarët të kapërcejnë efektet afatgjata të komunizmit dhe luftës. Shqipëria ka shënuar një përparim të jashtëzakonshëm duke institucionalizuar reformat aq shumë të nevosjshme dhe jam shumë i kënaqur sot gjatë diskutimeve kur mora sigurimet më të mira që këto reforma do të vazhdojnë, që Shqipëria do të vazhdojë të respektojë pavarësinë e institucioneve të pavaruara të cilat janë aq jetësore për demokracinë në Shqipëri, të cilat do të ndihmojnë vendin tuaj për të ndërtuar një demokraci të fortë dhe një ekonomi të tillë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë fuqimisht në përkrahje të Shqipërisë dhe ne presim që kjo miqësi dhe këto lidhje të forcohen gjatë viteve në vazhdim.

Zoti President,

Dëshiroj t’ju falenderoj personalisht për udhëheqjen tuaj të fuqishme dhe për përpjekjet tuaja në forcimin e këtyre marrëdhënieve dhe nyjeve që na lidhin midis dy vendeve. Gjithashtu dëshiroj t’ju falenderoj dhe t’ju uroj që të vazhdoni në këtë rrugë.

Ju faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›