E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron atdhetarët e shquar kolonjarë, Petro Nini Luarasin dhe Jani Vreton (pas vdekjes)

13 janar 2012
Ersekë

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, nderoi sot në mesditë veprën dhe jetën e dy figurave të shquara kolonjare, të njohura për veprimtarinë e tyre të rëndësishme atdhetare, arsimore dhe shoqërore, Petro Nini Luarasi dhe Jani Vreto (pas vdekjes). Ceremonia solemne e dekorimit u organizua në sallën qendrore të Bibliotekës së qytetit të Ersekës “Skënder Luarasi”, në prani të Kryetarit të Bashkisë, drejtuesve vendorë, deputetit të zonës, pasardhësve dhe të afërmve të personaliteteve të dekoruar, si dhe të intelektualëve e qytetarëve të shumtë.

Në fjalën përshëndetëse me këtë rast, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Së pari, më lejoni t’ju përshëndes të gjithëve dhe t’ju falënderoj nga zemra për këtë mikpritje të veçantë!

I nderuar zoti Kryetar,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar përfaqësues të qeverisjes vendore,

Padyshim që është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm fillimi i vitit jubilar që përkon me 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Vij këtu në Kolonjë, për të nderuar këtë zonë, për të nderuar figura të ndritura të historisë sonë kombëtare, sikurse e tha zoti Kryetar i Bashkisë, sigurisht që ka shumë figura. Ju përmendët disa, por jam i sigurt që ka dhe figura të tjera, që i kanë dhënë emër kësaj zone të nderuar, kësaj zone fisnike, dhe duke iu bashkangjitur atyre figurave që i kanë dhënë nder Shqipërisë. Padyshim, Shqipëria dhe në të gjitha viset ku kanë jetuar shqiptarët, kanë jetuar patriotë, mendimtarë, mësues të nderuar, të cilët shkrinë gjithçka në funksion të Shqipërisë dhe të çështjes kombëtare. Në një zonë kaq patriotike me vlera të jashtëzakonshme të traditës dhe vlerave qytetare, ndoshta këtu në këtë hapësirë të vogël gjeografike, ka dalë një numër i jashtëzakonshëm njerëzish të ndritur, me të cilët krenohet jo vetëm Kolonja, por krenohet e gjithë Shqipëria.

Më shumë se një shekull përpara, pikërisht këtu në Kolonjë, mori jetë një prej projekteve më të mëdha kombëtare në historinë e shtetit shqiptar: krijimi i institucioneve kombëtare arsimore. Me një vetëdije të lartë patriotike, me kurajën e një brezi të papërsëritshëm atdhetarësh dhe intelektualësh, djemtë dhe burrat e Kolonjës hodhën themelet e identitetit kulturor e kombëtar. Petro Nini Luarasi dhe Jani Vreto ishin dy prej pishtarëve të pashuar të dijes dhe shqiptarisë; çdo brez shqiptarësh u është mirënjohës atyre për gjithçka që bënë për gjuhën dhe kulturën shqiptare. Sot jemi këtu për t’i kujtuar dhe nderuar, për t’i bërë edhe zyrtarisht, ashtu siç janë në të vërtetë, në memorien tonë shtetërore e kombëtare, “Nder i Kombit”.

Luarasi dhe Vreto janë pjesë e një elite politike dhe kulturore kolonjare, e cila në kohë të ndryshme me vullnet e bindje qytetare i ka bërë shërbime të çmuara Shqipërisë dhe interesave tona kombëtare. Emrat e tyre bëjnë pjesë në grupin drejtues të komuniteteve shqiptare në Turqi, Rumani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës; kanë lënë gjurmë të gjalla në të gjithë fazën e Rilindjes kombëtare, të përgatitjes së pavarësisë, në aktet e themelimit të shtetit shqiptar, në periudhën e sistemit demokratik të viteve 20-të, gjatë luftës çlirimtare dhe më vonë, deri edhe në fillimet e proceseve demokratike të viteve 90-të.

Të gjithë shqiptarët njohin dhe çmojnë lart vlerat e larta kombëtare të Papa Kristo Negovanit, Shahin Kolonjës, Sevasti e Parashqevi Qiriazit, Fan Nolit, Sali Butkës, Themistokli Gërmenjit, Sejfi Vllamasit dhe deri tek një prej drejtuesve kryesorë të procesit të transformimeve demokratike, Gramoz Pashkos. Secili prej tyre, në mënyrën e vet dhe në periudha të ndryshme historike, me veprën e tyre intelektuale dhe kombëtare i ka bërë nder Kolonjës dhe gjithë Shqipërisë. Kjo është arsyeja që këtu në Kolonjë kemi një trashëgimi historike të pazakontë për një krahinë kaq të vogël gjeografike, - tregues ky i vitalitetit, traditës, ndjenjave patriotike dhe shqiptarizmit të lartë që ju keni krijuar e forcuar nga brezi në brez.

Petro Nini Luarasi dhe Jani Vreto janë dy prej kolosëve të kësaj trashëgimie. Ata mbajtën peshën kryesore në hapjen e shkollave shqipe, janë autorë të veprave të para të teksteve mësimore dhe mësimdhënës e drejtues të parë të vatrave të dijes. Ata dolën mbi politikat pushtuese që synonin ndarjet fetare e krahinore për të apeluar për luftë dhe qëndresë të përbashkët në mbështetje të interesit kombëtar, Shqipërisë dhe shqiptarizmit. Në aktivitetin e tyre politik ata u sulmuan me çdo mjet nga qarqet antishqiptare të vendeve fqinje apo fuqitë pushtuese, por asnjë kërcënim nuk i stepi, nuk u bë pengesë në projektin e tyre për arsimin shqip dhe kulturën kombëtare.

Petro Nini është simbol i shkronjave shqipe, një martir që pagoi me jetën e tij mbrojtjen dhe përhapjen e arsimit shqip. Përpjekja për arsimin shqip ishte përpjekje për identitet e zgjim kombëtar, për ikje nga errësira dhe përhapjen e dijes e shpresës. Kjo është arsyeja që në librin e tij “Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit”, Luarasi shkruan se gjuha e kombi janë “e vetmja rrugë e shpëtim që na besoi Perëndia për provë të vlerës sonë midis kombeve të tjerë. Kush është frikacak kundrejt së drejtës, bëhet tradhtar i mëmëdheut dhe i vetes së tij". Testamenti i tij politik “Ruamëni gjakun se do t’ju duhet për shkrimin e gjuhës shqipe”, është një akt i gjallë atdhetar që na bën edhe sot të ndihemi krenarë për të dhe gjithçka ai përfaqëson.

Ashtu si Petro Nini Luarasi, edhe Jani Vreto me veprat e tij filozofike dhe mendimin e përparuar intelektual, me aktivitetin patriotik dhe një bilanc të çmuar arritjesh të mëdha, përbën një simbol qëndrese, shembull frymëzimi dhe atdhedashurie. Libri i tij “Kanonizmoj e Shokënisë të Shtypuni Shkronjave ndë Gjuhët Shqip" mbetet një traktat politik e kulturor me vlera të veçanta dhe thelbi i asaj që më pas do të arrihej përmes krijimit të "Shoqërisë së të Shtypuri(t) të Shkronjave Shqip" dhe krijimit të abetareve të para shqipe.

Të nderuar pjesëmarrës,

Duke nderuar këto dy figura të shquara kombëtare ne i bëjmë nderim sakrificave të mëdha në breza për identitetin tonë kulturor dhe kombëtar. Sot Shqipëria është një vend evropian, anëtar në NATO dhe në normalitet demokratik. Miliona shqiptarë flasin e shkruajnë sot gjuhën shqipe, për germat e së cilës u sakrifikuan kolosë të mendimit kombëtar si Petro Nini Luarasi apo Jani Vreto.

Nderimi i tyre është edhe një apel publik për të nxjerrë në pah nevojën e vlerësimit dhe rivlerësimit të traditave dhe arritjeve tona më të mëdha historike në vitin jubilar të 100-vjetorit të shtetit shqiptar. Ky proces nuk mund dhe nuk duhet të bëhet për interesa politike të ditës, por përmes një procesi gjithëpërfshirës, transparent dhe profesional, nga institucione që kanë përgjegjësinë e vlerësimit dhe analizës, si dhe bazuar në kritere që tejkalojnë preferencat apo prirjet emocionale të ditës dhe kohës kur jetojmë.

Nga ana tjetër, ky nderim përbën edhe një apel publik për ta ruajtur dhe pasuruar akoma më shumë gjuhën, traditën dhe kulturën tonë kombëtare, si pjesë e rëndësishme e vlerave dhe identitetit tonë kombëtar. Brezat e rinj kanë fatin të lindin e rriten në një epokë të re, por ata kanë edhe përgjegjësinë të mendojnë e të bëjnë përpjekje më të mëdha për të pasuruar atë trashëgimi të jashtëzakonshme humanizmi, qytetarie dhe patriotizmi që krijuan figura të shquara si ato të Petro Nini Luarasit dhe Jani Vretos.

Në shenjë vlerësimi për vazhdimësinë e vlerave të këtij qyteti nderoj sot edhe një emër - simbol të trashëgimisë artistike, instrumentistin Xhemal Dalipi. Kam bindjen se arti i tij i ka kaluar kufijtë e Kolonjës dhe njihet e vlerësohet kudo ku ka shqiptarë, ndaj edhe ky vlerësim është më se i merituar.

Ne sapo kemi filluar nderimin e figurave pikërisht në këtë vit jubilar. Ju siguroj që në bashkëpunim të ngushtë institucional me institucionet specifike, qofshin këto të administratës qendrore, por dhe ato që lidhen me Akademinë e Shkencave, do të vlerësojmë hap pas hapi, në një aktivitet shumë intensiv gjatë këtij viti, të gjitha ato figura të cilat vërtet qëndrojnë në piedestalin e patriotëve, të mendimtarëve, të ideologëve, të atyre që bëjnë që të krenohemi të gjithë sot. Pra, sot, ne konsiderojmë vetëm fillimin e nderimit të këtyre figurave, sepse sikurse thashë, nga kjo zonë ka mjaft figura të tjera që ne do vazhdojmë t’i nderojmë, pavarësisht nëse e bëjmë këtë në Kolonjë, apo e bëjmë këtë në Tiranë, apo e bëjmë diku tjetër, sepse kudo ku flitet shqip, ku ka gjak shqiptari, ku ka ndjesi patriotike, ka një respekt, pa qenë nevoja të themi nëse është bërë ceremonia në Kolonjë, në Tiranë, në Prishtinë, apo dhe në viset e tjera, ku jetojnë shqiptarët. Kjo është arsyeja që në nderimin e figurave kobmëtare që kanë qenë në funksion të memories kobmëtare, në funksion të atyre ngjarjeve që kanë bërë që shqiptarët të ndihen sot krenarë, padyshim që ekziston e njëjta ndjenjë respekti dhe vlerësimi, dhe ne do ta bëjmë gjatë gjithë kohës, sa kohë që në dejet tona të ketë, sikurse thashë, ndjesi në respekt të së kaluarës, por mbi të gjitha për t’u orientuar, sikurse ashtu jemi orientuar drejt, drejt familjes evropiane. Dhe jam i bindur që të gjithë së bashku, jo vetëm do ta përjetojmë ëktë rrugë, por do të kontribuojmë që këtë rrugë ta realizojmë sa më shpejt.

Edhe njëherë, duke ju falënderuar, sikurse thashë për mikpritjen, për vëmendjen, më lejoni që të procedojmë me ceremoninë e vlerësimit, dekorimit të këtyre figurave të ndritura. Faleminderit!”

Në vijim, Kryetari i Shtetit nderoi me medaljen e lartë “Nderi i Kombit”, patriotët e shquar Petro Nini Luarasi (Pas vdekjes), me motivacionin: “Figurë e shquar e kombit, një nga veprimtarët e ndritur të Rilindjes Kombëtare, luftëtar i paepur për zgjimin, emancipimin dhe prosperimin e kombit shqiptar, për çlirimin nga zgjedha otomane dhe formimin e shtetit komb të shqiptarëve, luftëtarit të madh të krijimit të arsimit kombëtar si një nga shtyllat e çështjes kombëtare, vepër për të cilën dha edhe jetën”, dhe Jani Vreto (Pas vdekjes), me motivacionin: “Figurë e shquar e kombit, një nga veprimtarët e ndritur të Rilindjes, që çështjen kombëtare e pa të lidhur njësh me krijimin dhe zhvillimin e arsimit kombëtar dhe përpjekjet për krijimin e alfabetit shqiptar dhe botimin e abetares së parë shqipe i konsideronte si beteja të mëdha për fitoren e pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar”.

Po gjatë kësaj veprimtarie, Kreu i Shtetit dekoroi dhe instrumentistin dhe këngëtarin e njohur të këngës popullore, Xhemal Dalipi, me Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë, me motivacionin: “Për kontribut të çmuar në pasurimin e jetës kulturore artistike të Kolonjës, veçanërisht nëpërmjet interpretimit plot pasion dhe me mjeshtëri të këngës popullore të kësaj krahine.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›