E Hënë, 2 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron federatën Vatra dhe aktorin e njohur Richard Gere

Share

Presidenti Bamir Topi vlerësoi e nderoi dje në një ceremoni dekorimi të veçantë dhe në prani të shumë bashkatdhetarëve, kontributin mjaft të rëndësishëm të Federatës Pan-shqiptare të Amerikës VATRA dhe të disa personaliteteve shqiptaro-amerikane me veprimtari të shquar atdhetare e shoqërore.

Presidenti nderoi me urdhrin e lartë Nderi i Kombit Federatën Pan-shqiptare të Amerikës Vatra, duke i dorëzuar dekretin përkatës Kryetarit të saj, zotit Gjon Buçaj, me motivacionin: Për kontribut të shquar, si qendër atdhetare e bashkimit të shqiptarëve në SHBA, për ruajtjen dhe transmetimin tek ata të identitetit dhe vetëdijes kombëtare; për ndihmesë të qenësishme në Lëvizjen Kombëtare për krijimin e përparimin e shtetit shqiptar, si dhe për rol të veçantë në forcimin e marrëdhënieve të miqësisë tradicionale shqiptaro-amerikane.

Më pas, Kreu i Shtetit vlerësoi me Medaljen e Mirënjohjes: zotin Elez Hysen Biberaj me motivacionin: Për kontributin e tij të çmuar në zhvillimet demokratike të Shqipërisë, për sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për çështjen kombëtare shqiptare dhe domosdoshmërinë e zgjidhjes së saj, si dhe fuqizimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës; Peshkopin Agathangel (Çamçe) (Pas vdekjes) me motivacionin: Për kontribut të rëndësishëm në çështjen kombëtare, veçanërisht në krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe në mbajtjen gjallë të frymës së tolerancës e bashkëpunimit midis komuniteteve fetare në vendin tonë; At Vasil Markon (Pas vdekjes) me motivacionin: Për kontribut të rëndësishëm në krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, si akt madhor me rëndësi të jashtëzakonshme për pavarësinë e vendit; Sali Efendi Myftinë (Pas vdekjes) me motivacionin: Për kontributin e dhënë në krijimin e institucioneve fetare të emigrantëve shqiptarë në SHBA, në mbështetjen e tolerancës fetare dhe të bashkëpunimit në dobi të interesave kombëtare; Imam Vehbi Ismailin (Pas vdekjes) me motivacionin: Për kontribut të rëndësishëm në edukimin atdhetar dhe të frymës së tolerancës e të bashkëpunimit midis komuniteteve fetare dhe për ndihmesë në integrimin e shqiptarëve në shoqërinë amerikane; Dom Prenkë Sokolin (Ndrevashajn) (Pas vdekjes) me motivacionin: Për ndihmesë të rëndësishme për mbajtjen gjallë të identitetit kombëtar dhe të harmonisë fetare tek emigrantët shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për integrimin e tyre në shoqërinë amerikane.

Gjithashtu, Presidenti Topi nderoi me Urdhrin Nënë Tereza zotin Van Sotir Kristo me motivacionin: Për kontribut të rëndësishëm dhe plot përkushtim në ndihmë të vendit amë dhe bashkatdhetarëve të tij, emigrantë në Shtet e Bashkuara të Amerikës, për punë të palodhur në mbështetje të çështjes kombëtare, veçanërisht për fitoren e pavarësisë së Kosovës si dhe për forcimin e marrëdhënieve të miqësisë tradicionale shqiptaro-amerikane; Antoni Athanasin (Pas vdekjes) me motivacionin: Veprimtarit të shquar të emigracionit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili gjithë jetën qëndroi i lidhur fort me fatet e kombit dhe të vendit të tij e që derën e mbajti hapur për këdo bashkëkombës që kishte nevojë për mbështetje dhe ndihmë.

Me Medaljen e Artë të Shqiponjës, Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi: zotin Ilir Demalija me motivacionin: Për kurajon civile të treguar në pjesëmarrjen në shpërthimin e ambasadave, më 2 korrik 1990, akt që tronditi thellë regjimin komunist; për mbështetjen e pareshtur të zhvillimeve demokratike në Shqipëri; zotin Agim Karagjozi me motivacionin: Për kontribut të çmuar në zgjerimin dhe forcimin e veprimtarisë së Federatës VATRA, për ruajtjen e frymës kombëtare tek shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e të përkushtimit të tyre ndaj vendit amë.

Në përfundim të kësaj mbrëmjeje Presidenti Topi dekoroi me Medaljen e Mirënjohjes respektivisht: zotin Richard Gere me motivacionin: Me mirënjohje dhe nderim personalitetit të shquar të artit botëror, humanistit dhe veprimtarit të madh të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, i cili demaskoi e i bëri të njohur publikut amerikan, e më gjerë, krimin çnjerëzor, spastrimin etnik në Kosovë, në vitin 1999, nga makina ushtarake serbe, kundër popullsisë civile shqiptare që jetonte në trojet e veta dhe zotin Geraldo Rivera me motivacionin: Me mirënjohje dhe nderim të thellë, personalitetit dhe publicistit të shquar, mikut të shtrenjtë të shqiptarëve, i cili bëri kauzë të tij ndërgjegjësimin e publikut amerikan, e më gjerë, për krimin monstruoz që po bënte makina ushtarake serbe, në vitin 1999, kundër popullsisë civile shqiptare të Kosovës, duke e demaskuar atë si një spastrim etnik dhe gjenocid.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›